Në Strugë ka nisur faza e parë e zëvendësimit të rrjetit të ujësjellësit, një ndërhyrje vendimtare për përmirësimin e infrastrukturës bazë dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Projekti përfshin heqjen e gypave të vjetër prej çimento-azbesti dhe zëvendësimin e tyre me një rrjet modern dhe të qëndrueshëm.
Në përurimin zyrtar të punimeve morën pjesë Bekim Qoku, Izet Mexhiti dhe Mendi Qyra, të cilët ndoqën nga afër fillimin e këtij investimi të rëndësishëm.
Faza e parë përfshin ndërtimin e rreth 6.2 kilometrave të rrjetit të ujësjellësit, duke përfshirë rrugën kryesore dhe 13 degëzime të saj. Investimi kap vlerën e rreth 1.5 milion eurove dhe pritet të zgjasë për një periudhë prej 12 muajsh.
Projekti synon të përmirësojë cilësinë e ujit të pijshëm, të rrisë kapacitetin e furnizimit dhe të reduktojë humbjet teknike në rrjet. Heqja e gypave prej azbesti do të eliminojë një burim të rëndësishëm rreziku për banorët, duke ngritur standardet e sigurisë dhe shëndetit në qytet.
Ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt një infrastrukture më moderne dhe një mjedisi më të sigurt për banorët e Strugës./press7.tv