Botë Lajme

Tragjedia ajrore në Indi, shkon në 270 numri i viktimave

    Mjekët në Indi thonë se 270 trupa janë nxjerrë nga vendi i rrëzimit të avionit ditën e enjte në Ahmedabad, raporton BBC.

    Avioni me 242 persona në bord, me destinacion Londrën u rrëzua në një zonë banimi menjëherë pas ngritjes, duke vrarë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit përveç njërit prej tyre, një britanik 40-vjeçar.

    Zyrtarët janë përpjekur gjithashtu të përcaktojnë se sa njerëz u vranë në terren dhe kanë vazhduar procesin e ngadaltë të përputhjes së mostrave të ADN-së për të konfirmuar identitetin e viktimave.

    Byroja e Hetimit të Aksidenteve të Avionëve në Indi (AAIB) po udhëheq hetimin për të zbuluar shkakun e rrëzimit, e ndihmuar nga ekipe nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Të premten, në vendin e rrëzimit u gjet një kuti e zezë, e cila do të ndihmojë në hetimin e katastrofës.

    Më pak se 60 sekonda pasi u largua nga Aeroporti Ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel i Ahmedabadit, avioni humbi lartësinë dhe u përplas me një ndërtesë që përdorej si akomodim nga mjekët e Kolegjit Mjekësor BJ dhe Spitalin Civil.

    Të shtunën, Presidenti i Shoqatës së Mjekëve të Rinj të kolegjit, Dr. Dhaval Gameti, konfirmoi se spitali kishte marrë trupat e 270 viktimave.

    Nga këta, 241 besohet të jenë pasagjerë dhe ekuipazh i fluturimit AI171.

    Sipas të dhënave nga faqja e internetit e gjurmimit, Flightradar24, Boeing Dreamliner 787-8 kishte operuar 25 fluturime nga Ahmedabad në Londër Gatwick në dy vitet e fundit.

    Pas rrëzimit, rregullatori i aviacionit të Indisë, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil (DGCA), urdhëroi kontrolle shtesë sigurie në flotën e Boeing 787-8 dhe 787-9 të Air India, duke e përshkruar atë si një “masë parandaluese”