Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish nesër në sallën plenare për të provuar për herë të 20-të konstituimin e Legjislaturës së nëntë, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 9 shkurt. Seanca do të zhvillohet nga ora 11:00, nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari.
Të mërkurën, përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish. Deputetët nuk arritën të votojnë formimin e komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit – një hap kyç për fillimin e punës së rregullt parlamentare.
Subjektet politike PDK, LDK, Lista Serbe dhe koalicioni AAK-Nisma refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin zgjedhor, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
Nga 120 deputetë, vetëm 54 morën pjesë në votim, një votoi kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Sipas Rregullores së Punës, votimi për komisionin kërkon shumicë të thjeshtë, por vetëm nëse ka kuorum prej së paku 61 deputetësh të pranishëm.
Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e katërt, ndërsa partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e vullnetit politik dhe për shkelje të vullnetit qytetar. Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve me shumicën e mandateve, e ka akuzuar opozitën për bojkot sistematik dhe pengim të proceseve kushtetuese. Ndërkohë, partitë opozitare kërkojnë respektim të balancave institucionale dhe qasje gjithëpërfshirëse nga shumica.
Pra nuk po arrihet as formimi i Qeverisë së re, pasi procesi kushtetues kërkon më parë zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.