Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për veprën penale “Rrezikim i sigurisë”, pas kërcënimeve të bëra ndaj një gjyqtari të Gjykatës Themelore në Gostivar.
Ngjarja ka ndodhur më 29 prill në fshatin Vrutok, ku i pandehuri ka hyrë në oborrin e shtëpisë së gjyqtarit dhe ka lëshuar kërcënime të drejtpërdrejta lidhur me një proces gjyqësor të supozuar. Sipas Prokurorisë, kërcënimet kishin të bëjnë me ushtrimin e detyrës zyrtare të gjyqtarit.
Pas incidentit, i akuzuari është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit. Me aktakuzën e ngritur, prokurori publik ka propozuar që kjo masë të vazhdojë edhe më tej.