Lajme Maqedoni

VLEN akuzon Taravarin për devijim politik dhe tradhti ndaj mandatit popullor

    VLEN e akuzon Taravarin për tradhti të pastër politike, duke tentuar – sipas tyre – të kontrabandojë pesë deputetë drejt BDI-së, partisë së Ali Ahmetit, kundër së cilës qytetarët votuan për ndryshim.

    “Taravari po tenton t’i kthejë deputetët në kazanin ku vlon krimi dhe korrupsioni,” thuhet në deklaratën e publikuar sot nga VLEN. Ata kujtojnë se vetëm një vit më parë, të njëjtët deputetë, nën logon e VLEN-it, shkonin derë më derë duke u premtuar qytetarëve se “nuk do të shkojnë kurrë me BDI-në”.

    Por tani, sipas tyre, Taravari po i tradhton të gjitha ato zotime, duke bërë një kthesë të papritur dhe duke shkuar në drejtim të kundërt.

    “Qytetarët e dhanë fjalën e tyre – votuan për ndryshimin! Taravari dezertoi! Por një dezertor i lig nuk duhet të tërheqë pas vetes të gjithë ushtrinë,” thotë komunikata, ku lideri i ASH-së përshkruhet si një politikan i “lodhur” që “po kërkon pension të parakohshëm politik”.

    VLEN u bën thirrje strukturave të ASH-së, aktivistëve dhe deputetëve që të mos ndjekin shembullin e Taravarit dhe të rreshtohen sërish në “anën e ndryshimit”.

    “Mos harroni! Po e braktisët Selën pse shkoi me BDI-në, çfarë justifikimi keni tani që Taravari po ju kthen te të dy?!” – pyesin ata me tone të ashpra.

    Sipas VLEN-it, ky është një moment kritik për të zgjedhur: me ndryshimin apo me sistemin e vjetër?