Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të 11-të, pasi edhe në seancën e fundit nuk u arrit të formohet Komisioni për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit. Në këtë seancë, e cila u zhvillua më 5 maj në përkujtim të Ditës së Dëshmorëve, ishin të pranishëm 111 deputetë dhe nisi me një minutë heshtje për të nderuar ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i bëri thirrje partive që ende nuk kishin propozuar kandidatë për komision që ta bënin këtë, por asnjë prej tyre nuk iu përgjigj kërkesës. Në votimin për formimin e Komisionit morën pjesë vetëm 57 deputetë: 56 votuan pro, 1 kundër, dhe nuk pati asnjë abstenim. Megjithatë, votimi dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.
Partitë opozitare si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe mbajtën qëndrimin e mëparshëm duke mos propozuar asnjë anëtar për Komision. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi mënyrën e drejtimit të seancës dhe ngërçin që po vazhdon pa asnjë progres konkret.
Për pasojë, seanca u ndërpre dhe u shty për 48 orë, me paralajmërimin se ajo do të vazhdojë të hënën. Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, pritet të vijojë votimi për nënkryetarët, çka do të hapte rrugën për formimin e Qeverisë së re.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve, do të ketë të drejtën për të propozuar mandatarin për formimin e ekzekutivit. Nëse brenda 15 ditëve nuk arrihet formimi i Qeverisë, presidentja Vjosa Osmani mund t’i japë mundësinë një partie tjetër. Nëse dështon edhe mandatarja e dytë, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.