Kosovë Lajme

Maqedonci dekoron Bashkim Jasharin me Medaljen “Shërbim i Shquar” në Ditën e Forcës

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dekoruar Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, me Medaljen “Shërbim i Shquar”, në shenjë vlerësimi për shërbimin dhe kontributin e tij në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.

    Në një postim në Facebook, Maqedonci ka thënë se dekorimi është bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Forcës.

    Ai ka vlerësuar veçanërisht rrugëtimin e Jasharit, duke rikujtuar se ai ishte njëri nga të mbijetuarit e familjes Jashari gjatë luftimeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, ku kishte luftuar përkrah Adem dhe Hamëz Jasharit.

    Pas luftës, Jashari vazhdoi karrierën ushtarake në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, fillimisht si zëvendëskomandant e më pas si komandant i Zonës së Parë Mbrojtëse.

    Me themelimin e FSK-së, ai shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm, ndërsa në nëntor të vitit 2021 u emërua komandant i kësaj force.

    Maqedonci ka vlerësuar se gjatë pesë viteve në krye të FSK-së, Jashari udhëhoqi procese të rëndësishme për transformimin dhe fuqizimin e saj, ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërinë me forcat e vendeve aleate.

    Ai ka theksuar edhe kontributin e gjeneralit në thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në fund, ministri Maqedonci e ka falënderuar Jasharin për bashkëpunimin dhe shërbimin e tij ndaj Republikës së Kosovës.

    https://www.facebook.com/ejup.maqedonci1/posts/122327636258011792?ref=embed_post