Botë Lajme

“Putini nuk duhet të fitojë”, Rutte: Mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë, Rusia mbetet kërcënim për Evropën

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Aleancës që të vazhdojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke theksuar se ndihma është veçanërisht e rëndësishme me afrimin e dimrit.

    Duke folur në Berlin, Rutte paralajmëroi se Rusia po vazhdon të zgjerojë ekonominë e saj të luftës dhe se kërcënimi që paraqet për sigurinë evropiane nuk do të zhduket domosdoshmërisht edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

    Ai theksoi se aleatët duhet të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë që Moska të dobësojë mbështetjen politike e ushtarake për Kievin.

    “Ne duhet t’i tregojmë Putinit se përpjekjet e tij për të dobësuar mbështetjen tonë do të dështojnë. Ndihmoni në ruajtjen e kësaj mbështetjeje për aq kohë sa të duhet”, deklaroi Rutte.

    Shefi i NATO-s paralajmëroi se kapacitetet ushtarake dhe ekonomia e luftës së Rusisë po vazhdojnë të rriten, çka sipas tij nënkupton se kërcënimi ndaj Evropës mund të mbetet edhe pas përfundimit të konfliktit.

    “Ekonomia e luftës e Rusisë vazhdon të rritet dhe nuk do të qëndrojë në vend kur lufta kundër Ukrainës, me shpresë, një ditë të marrë fund”, tha ai.

    Rutte u bëri thirrje gjithashtu vendeve anëtare që të rrisin investimet në mbrojtje dhe të hartojnë plane konkrete e të besueshme për shpenzimet ushtarake.

    Ai nënvizoi se ruajtja e mbështetjes politike dhe publike për Ukrainën, paralelisht me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të NATO-s, është thelbësore për përballimin e kërcënimit rus.