Kosovë Lajme

Kurti: Kosova po dëshmon qëndrueshmëri ekonomike, rritja arriti në 4.7 përqind

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryesoi takimin e rregullt të radhës të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

    Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se, që nga themelimi, synimi i Këshillit është fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, duke ndërtuar një platformë ku sfidat dhe mundësitë për zhvillim ekonomik nuk trajtohen në mënyrë sipërfaqësore, por diskutohen në mënyrë të strukturuar dhe adresohen përmes veprimit të përbashkët e të drejtpërdrejtë.

    Teksa theksoi se zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm kërkon një ndarje të qartë të përgjegjësive, por edhe një bashkëveprim të vazhdueshëm, kryeministri shtoi se institucionet e Republikës e kanë për detyrë të krijojnë mjedisin e sigurt, sundimin e ligjit dhe kushtet e barabarta për zhvillim, ndërkaq bizneset janë ato që investojnë, që marrin përsipër rrezikun sipërmarrës, që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende të reja pune.

    “Ekonomia e Republikës së Kosovës ka vazhduar të tregojë qëndrueshmëri të lartë dhe potencial të qartë për rritje, edhe përballë sfidave të brendshme me konsolidimin e institucioneve në njërën anë, por edhe të pasigurive e tronditjeve globale në anën tjetër”, tha kryeministri Kurti, i cili shtoi se në gjysmën e parë të këtij viti është shënuar rritje ekonomike prej 4.7%.

    Kryeministri theksoi se këto shifra janë dëshmi e vitalitetit të sektorit privat, e besimit në investime dhe e lidhjes së ngushtë që ekonomia e Kosovës ka me mërgatën, por edhe me tregjet ndërkombëtare. Ai përmendi gjithashtu disa prej përparësive kryesore, nga popullsia e re e kreative, afërsia gjeografike e kulturore me tregjet evropiane, te politikat tatimore konkurruese.

    “Investitorët seriozë kërkojnë siguri juridike, parashikueshmëri, procedura të qarta dhe shërbime efikase. Pikërisht për këtë arsye, si Qeveri, gjatë këtij viti kemi miratuar Ligjin për Bankat dhe Ligjin për Shërbimet e Pagesave, që forcojnë ndjeshëm kornizën rregullatore dhe e hap rrugën për anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke ulur kësisoj kostot e transaksioneve për qytetarët dhe bizneset tona”, theksoi ai, mes tjerash.