Ministri i Financave, Hekuran Murati ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe siç tha – bashkëpunëtorëve të tij.
Kallëzimi penal ka të bëjë me siç ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit, keqpërdorimin e 2.2 milionë eurove të mjeteve buxhetore të një projekti me BERZH-in.
Projekti ishte 5 milionë euro kredi i nënshkruar nga Ministria e Financave me BERZH-in, mjete të cilat kanë qenë në shfrytëzim nga Komuna e Prishtinës për investime në renovim, ngrohje të shkollave, çerdheve dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare.
Sipas raportit të Zyrës së Auditimit, janë kryer pagesa në vlerë 2.2 milionë euro për punë që nuk kishin të bëjnë me projektin pas marrëveshjes.
“Sot kemi dorëzuar kallëzim penal në prokurori ndaj Përparim Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij në Komunën e Prishtinës, në lidhje me keqpërdorimin 2.2 milionë eurove mjete buxhetore, siç është konstatuar edhe nga auditimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit. Veprimet e dyshuara që kanë rezultuar me keqpërdorim të 2.2 milione eurove janë: keqpërdorimi i detyrës zyrtare, falsifikimi i dokumentit zyrtar, mashtrimi, dhe përdorimi i paautorizuar i pasurisë”, thuhet në postimin e Muratit.
Zyra Kombëtare e Auditimit para disa ditësh publikoi raportin e auditimit tё pajtueshmërisë për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesat Publike në Komunën e Prishtinës”, të financuar përmes një kredie prej 5 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Sipas ZKA-së, gjatë periudhës 2024–2026, Komuna e Prishtinës ka realizuar 21 pagesa, në vlerë prej 2.18 milionë euro, për aktivitete dhe projekte që nuk ishin pjesë e qëllimit dhe fushëveprimit të marrëveshjeve të financimit.
Për këtë çështje, drejtoresha e Transformimit të Prishtinës, Nora Cimili-Gagica kishte thënë në KTV se ky projekt është ndaluar sepse nuk kanë pasur mundësi të realizojnë pagesën për kontraktorin, si pasojë e një shkeljeje që është evidentuar. Ajo ka thënë se Komuna e Prishtinës e ka prekur një buxhet i cili quhet buxhet garancë.
Cimili-Gagica ka thënë se tashmë Komuna e Prishtinës e ka identifikuar edhe se ku do t’i gjejë për t’i kthyer këto të holla.
Po ashtu kishte thënë se nuk ka pasur mundësinë të realizojnë pagesën e parë për kontraktorin sepse Ministria e Financave e ka bllokuar procesimin e pagesës së kësaj.

