Maqedoni

Qoku: Soravia, ALTA Banka… pasuria e Ali Ahmetit është rritur astronomikisht pas vitit 2016

    Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për lidhjet biznesore të personave nga rrethi familjar i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke përmendur transaksionet që lidhen me qendrën tregtare Soravia dhe ALTA Bankën e Beogradit.

    Në një reagim, Qoku ka shkruar se për vite me radhë figura e Ali Ahmetit është ndërtuar mbi narrativën e mbrojtësit të interesit kombëtar dhe kauzës shqiptare, ndërsa sipas tij, të dhënat për aktivitetet biznesore të rrethit të tij familjar ngrenë pikëpyetje për raportin mes retorikës politike dhe interesave private.

    Postimi i plotë

    Pushteti i gjatë shpesh ndërton një mur mes retorikës publike dhe realitetit prapa kulisave. Për dekada me radhë, figura e Ali Ahmetit është mbështjellë me narrativën e mbrojtësit të interesit kombëtar dhe kauzës shqiptare. Megjithatë, përballja me fakte mbi të dhënat e tij të lidhjes biznesore të rrethit të tij familjar po trondit bazën e këtij narrativi.

    Madje, nga brenda vetë BDI-së ka pasur zëra që zgjedhjet e vitit 2016 i konsiderojnë si një pikë kthese në qëndrimet e Ali Ahmetit ndaj çështjeve kombëtare. Pas kësaj periudhe interesi për pushtetin dhe pasurinë familjare mori gjithnjë e më shumë përparësi ndaj kauzave që dikur përbënin boshtin e retorikës së tij politike. Thonë madje se që nga kjo kthesë, pasuria materiale e Ali Ahmetit është rritur astronomikisht.

    Kompania e nipit të tij, Drin Ahmeti, kishte përfituar 39 për qind të aksioneve në qendrën tregtare Soravia. Vetë Drini kishte deklaruar se nuk kishte investuar asnjë cent nga xhepi i tij dhe se financimi ishte siguruar nga xhaxhai i tij. Ndërkohë, sipas raportimeve të KOD-it, kompania e tij kishte paguar 8,4 milionë denarë ndaj AS Senjakut, firmë e lidhur me krushkun e Ali Ahmetit. Për çfarë shërbyen këto pagesa dhe cili ishte qëllimi i tyre?
    Por historia nuk përfundon me Soravianë. Sipas të dhënave të bëra publike, AS Senjaku më pas ia shiti ALTA Bankës së Beogradit aksionet që zotëronte në Stopanska Bankën e Manastirit. Sa ishte vlera e kësaj shitjeje dhe kush përfitoi financiarisht nga ky transaksion?

    Pra, nga projekti politik “Open Balkan”, te hyrja e kapitalit bankar serb dhe transaksionet e kompanive të lidhura me rrethin familjar, kemi një sërë çështjesh që kërkojnë transparencë të plotë.
    Shqiptarët meritojnë të dinë se si u zhvilluan këto transaksione, kush qëndron pas tyre, kush përfitoi dhe çfarë roli pati Ali Ahmeti dhe BDI në këto procese.