Kosovë Lajme

Vdes legjenda Xhevat Prekazi, luajti te Galatasaray dhe Partizani i Beogradit

    Futbolli ka humbur një emër të njohur. Legjenda e Partizanit të Beogradit, Xhevat Prekazi, ka ndërruar jetë, ndërsa lajmin e hidhur e ka konfirmuar vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar.

    Partizani ka shprehur dhimbjen për vdekjen e ish-futbollistit, i cili la gjurmë të rëndësishme gjatë periudhës së tij në fanellën bardhezi, shkruan Indeksonline

    Prekazi ishte pjesë e ekipit të parë të Partizanit nga viti 1976 deri në vitin 1983. Gjatë kësaj periudhe, ai zhvilloi 175 ndeshje dhe realizoi 23 gola. Me klubin nga Beogradi fitoi tri tituj kampioni, në sezonet 1975/76, 1977/78 dhe 1982/83, si dhe Kupën Mitropa në vitin 1978.

    Pas largimit nga Partizani, karrierën e vazhdoi te Hajduku, përpara se të transferohej në Turqi, ku veshi fanellat e Galatasarayt, Altayt dhe Bakirkoysporit. Madje, në Stamboll një rrugë mban emrin e tij, si dëshmi e gjurmëve që la edhe në futbollin turk.