Kosovë Lajme

Shiroka – Pula dekoroi gjeneralin amerikan Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake

    Presidentja Justina Shiroka- Pula e ka dekoruar gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.

    Në njoftimin e Zyrës së Presidencës thuhet se dekorata iu nda në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij të shquar, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Në njoftim thuhet se Shiroka – Pula theksoi rëndësinë e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili gjatë 15 vjetëve ka kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

    Presidentja thuhet se ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.

    Ajo theksoi se partneriteti me ShBA-të është strategjik për Kosovën dhe është ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta. Në këtë kontekst, Presidentja Shiroka Pula potencoi se kjo miqësi dhe ky partneritet do të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Ndërkohë që gjenerali amerikan Osborn ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Në një postim në Facebook Kurti ka shkruar se e ka pritur Osbornin bashkë me komandonit e FSK-së, Bashkim Jashari.

    “Partneritet i dyfishtë i Republikës sonë, me Iowas si një dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si tërësi. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vyer dhe plot dobi të Gardës Kombëtare të këtij shteti amerikan për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të përqendruar në trajnim profesional, edukim e lidership ushtarak dhe planifikim operacional e logjistik”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka thënë se se ka falënderuar Osbornin për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkrahjen e vazhdueshme në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.

    “Biseduam për hapat tonë të parë, tejet të rëndësishëm, në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, sikurse për situatën e sigurisë në vend e rajon dhe u pajtuam për rolin kyç të Republikës së Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kurti.

    https://www.facebook.com/albini2017/posts/1686371829523204?ref=embed_post