Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri ka kritikuar numrin e ligjeve të miratuara nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të saj.
Në 80 ditët e mbetura të këtij viti, Qeveria synon t’i miratohen 65 ligje në Kuvend, e në agjendën legjislative, ekzekutivi ka paraparë miratimin e 200 ligjeve të reja deri në fund të 2028-s.
Sipas deputetit Tahiri, dështimin e dy vjetëve me ngërçe institucionale, qeveria po mundohet ta zëvendësojë me rrëmujë legjistlative.
“Kjo qeveri, pa ndonjë vizion zhvillimor, kujton se zhvillimin mund ta gjenerojë përmes ligjeve copy-paste. Me një ritëm të synuar prej dy ligjesh në javë, kjo qeveri po synon të trajtojë rreth 24 ligje brenda një tremujori sa është njé mesatare e një procesi të mirëfilltë ligjor, madje me një kostim, por pa një ‘impact assessment’ të mirëfilltë. Në realitet, një proces legjislativ kërkon konceptim, hartim të draftit, konsultime, koordinim ndërsektorial, shqyrtim të komenteve dhe amendamentim. Varësisht nga kompleksiteti, ky proces mund të zgjasë mesatarisht rreth 12 javë”, thuhet mes tjerash në reagimin në Facebook të Tahirit.

