Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin ku bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Vendimi është marrë nga gjykatësi i vetëm i këtij rasti, Christopher Gosnell më 30 shtator 2026. Sipas vendimit, gjykatësi konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra penale të tjera. Ndër tjerash, gjykata njoftoi se për masën mori parasysh edhe faktin që Thaçi u shpall fajtor dhe u dënua në gjykimin për krime lufte.
“Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje”, njoftoi Specialja.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Prokuroria ka pretenduar se kjo çështje ka të bëjë me veprimet e përbashkëta të disa personave që kanë funksionuar në grupe dhe se është tentuar të pengohen persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.

