Opinione

Studioja e Adi Hilës dhe zyra e Ergys Agasit!

    Shkruan Mentor Kikia

    Studioja e producentit Adi Hila është një mjedis privat. Për gjithë çfarë u pa e nuk u pa, mund të kem si fillim, vetëm një konsideratë: Mjerë familjet e personazheve.

    Për më tej, mund të themi pa mëdyshje, se ata nuk janë përgjegjës për çmimin e lartë të karburantit, çmimet e ushqimeve, korrupsionin, krimin e organizuar, mungesën e ilaçeve në spitale, mungesën e ujit etj etj. Në këtë drejtim, historia e tyre nuk është një punë që na përket ne të tjerëve. Ndaj unë mbështes plotësisht nxerrjen para drejtësisë të përgjegjësve. Por ata nuk janë në media. Media tregoi pjekuri, madje edhe rrjeti. Videot nuk u publikuan, ato thjeshtë u përhapën përmes platformave të komunikimit privat. Përgjegjësia është tek ai që i filmonte skenat, që duhet të jetë “pronari i krevatit”, dhe ai që i shpërndau, i cili ka dalë me zë e figurë.

    Hetimi duhet të jetë shumë serioz, për të kuptuar edhe “teknologjinë” e vjedhjes së imazheve, pasi dëshmon se njeriu nuk është i sigurtë sot as në krevatin e shtëpisë, e pa le në krevatin e studios.

    Por, përtej shenjtërimit të privatësisë, kjo histori ka edhe një anë tjetër.

    Edhe pse protagonistët janë njerëz që kanë të drejtë të bëjnë çtë duan me jetën e tyre dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi për jetën tonë, ata janë figura publike. Në një farë mënyre, edhe ata e ndikojnë jetën tonë, e ndikojnë shoqërinë dhe mjedisin social. Mendoni pak se si do të sillej shoqëria italine nëse do të ishin bërë publike video erotike të një producenti muzikor të RAI-t me një tufë artistesh që këndojnë në Sanremo?

    Shtrati është vërtet një gjë private, edhe kur një burrë shkon me 17 gra, apo 17 gra shkojnë me një burrë. Por në këtë rats, “sulltani” është një producent që bën dhe përcakton këngët që shkojnë në festivale. Ndërsa “haremi” janë artistë, që bëjnë art, i japin ushqim shpirtëror qytetarëve. Dhe, problemi nuk është pse artistët bëjnë orgji, por sepse, shpesh, orgjitë mbysin talentin dhe arti nuk konkuron me aftësi por me “stile erotike”.

    Dhe këtu pafajsia e privatësisë nuk është aq absolute!

    Shumë prej atyre grave janë idhujt e vajzave të reja që duan të bëhen këngëtare apo artiste. Por befas ato mësojnë se, që të ngjistesh në skenë, duhet të futesh në harem. Që të besh karrierë, duhet të kalosh nga një krevat i tillë.

    Edhe zyra e Agasit ishte një mjedis privat. Por ajo ishte bërë bordelloja ku përdhunohej shteti dhe veprat penale të klientelës së tij nuk kanë të numëruar. Ndërsa studioja e Hilës, edhe pse private, është bordelloja ku përdhunoheshin vlerat e shoqërisë.

    Padyshim, nuk ka një shenjë barazimi, por të dyja janë përdhunime.

    Gjithësesi, edhe për rastin e Hilës, shpresoj që përgjegjësit të dalin realisht para drejtësisë. Kuptohet, nëse gratë do të ngrejnë pretendime ligjore. Nëse jo, shihemi në festivalet e dhjetorit.

    https://www.facebook.com/mentor.kikia/posts/1658175825673771?ref=embed_post