Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mohuar akuzat për dërgim dosjesh në Gjykatën Speciale e për mungesë reagimi, pas verdiktit dënues ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Ajo ka thënë se nga dita e parë e aktgjykimit, ka nisur punët për betejën në Apel. Gërvalla ka paralajmëruar se shpejt do të nxirret opinioni juridik edhe për projektligjin e sponsorizuar nga PDK-ja
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, i ka dhënë fund heshtjes në publik pas vendimit të Gjykatës Speciale, me të cilin u dënuan për krime lufte katër udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Ajo ka thënë se, meqë është ministre e Drejtësisë nuk ka folur në publik, por ka theksuar se ka vepruar me qëllimin për t’u përgatitur në betejën në shkallë të dytë.
“Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim, që nga dita e parë, jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media. Dhe si betejë ligjore, ne duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kokën të ftohtë, pa shumë bërtima, duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme”, ka thënë ajo në një konferencë për shtyp të shtunën.
Gërvalla ka thënë se Ministria e Drejtësisë është duke analizuar edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike për çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.
“Shumica e gjërave që lidhen me dhomat e specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime. Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, ka thënë Gërvalla.
Tek ka folur për financimin e ekipeve mbrojtëse dhe mbështetjen financiare që Kosova ka ofruar në kuadër të mekanizmit të përcaktuar me ligj, Gërvalla ka thënë se kjo parashihet me ndryshimet kushtetuese dhe miratimit të ligjit të asaj kohe dhe jo me vendim të ministrit. Sipas saj, deri në shtator 2026, nga buxheti i Kosovës janë paguar mbi 40 milionë euro për mbrojtjen dhe obligimet e tjera që lidhen me këtë mekanizëm. Sipas saj, aktualisht Ministria e Drejtësisë nuk ka detyrime të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë në kuadër të këtij programi.
Të shtunën Gërvalla u është përgjigjur edhe akuzave se ka dërguar materiale në Speciale. Ajo e ka mohuar këtë dhe ka thënë se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim qoftë me UNMIK-un, EULEX-in apo Gjykatën Speciale.
“Nuk kam asnjë pikë takimi, as direkt e as indirekt. Mirëpo, edhe pak durim duhet të kemi sepse aktgjykimi do të vijë shpejt dhe do ta shohim shumë shpejt. Edhe një shpresë të vogël e kam që në fakt ata që më së shumti kanë bërtitur në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar me lloj-lloj emrash, të paktën para pasqyrës të skuqen për një moment që nuk kanë dashur t’i dëgjojnë faktet, por kanë zgjedhur që të përsërisin rrenat e qitura në qarkullim nga ata vetë”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla ishte në qendër të kritikave pas vendimit të Speciales. Ajo u akuzua fillimisht se kishte dërguar dosje në gjykatë, ndërsa më pas u kritikua edhe për mungesë reagimi ndaj aktgjykimit. Në protestat e mbajtura pas vendimit të Speciales, protestuesit kërkuan edhe dorëheqjen ose shkarkimin e saj.

