Kosovë Lajme

Identifikimi i viktimave në Zubin-Potok, LDK: Hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së krimeve të luftës

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas identifikimit të tri viktimave – Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu – në Zubin-Potok, të tre nga Grupi i Intelektualëve shqiptarë, të cilët ishin rrëmbyer dhe zhdukur në vitin 1999 nga forcat serbe.

    Derisa ka shprehur ngushëllime për familjarët e tyre, Abdixhiku ka thënë se ky lajm është hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë.

    “Ky është një lajm i dhimbshëm për familjet e tyre, por edhe një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë. Më 19 prill 1999, ata u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm nga forcat serbe, ndërsa për 27 vjet, familjet e tyre pritën të dinin të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga LDK-ja në Facebook.

    Në deklaratën e tij, kryetari i LDK-së është ndalur veçanërisht te figura e Idriz Rrecajt, të cilin e ka përshkruar si veprimtar të angazhuar në organizimin politik shqiptar gjatë viteve të rezistencës.
    Rrecaj kishte shërbyer si kryetar i Degës së LDK-së në Skenderaj. Abdixhiku ka theksuar gjithashtu se ai dhe bashkëveprimtarët e tij ishin të angazhuar në përpjekjet për çlirimin e Kosovës.

    “Identifikimi i tyre nuk është vetëm fundi i një pritjeje të gjatë familjare. Është edhe një dëshmi tjetër e asaj që Kosova ka përjetuar”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Ai ka kërkuar që fati i të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës dhe dokumentimi i krimeve të mbeten në fokus të institucioneve të Kosovës.

    “E vërteta dhe drejtësia janë borxhi që Republika ua ka atyre që u flijuan për të”, ka shkruar ai.