Maqedoni

Dauti: One Stop Shop do të funksionalizohet edhe në pikën kufitare Bellanoc–Stançiq

    Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në pikën kufitare Bellanoc–Stançiq, ku ka parë nga afër funksionimin dhe gjendjen e kësaj pike kufitare që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

    Dauti ka theksuar rëndësinë e kësaj pike për lidhjen ndërmjet Kumanovës dhe Gjilanit, duke nënvizuar se ajo ka rëndësi jo vetëm për lëvizjen e qytetarëve, por edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe rajonal.

    Ai bëri të ditur se aktualisht pika kufitare Bellanoc–Stançiq është e dedikuar vetëm për kalimin e automjeteve, ndërsa po punohet që në të ardhmen të mundësohet edhe qarkullimi i mallrave.

    Një nga proceset ku, sipas Dautit, po punohet intensivisht është funksionalizimi i sistemit One Stop Shop, me qëllim që edhe kjo pikë kufitare të ofrojë procedura më të shpejta, efikase dhe të koordinuara për qytetarët.

    “Për ne, përmirësimi i infrastrukturës, organizimi dhe shërbimi në pikat kufitare nuk është vetëm çështje administrative, por është pjesë e përpjekjes për të krijuar lëvizje më të lehtë, bashkëpunim më të mirë ndërkufitar dhe lidhje më të forta rajonale”, ka deklaruar Dauti.