Kosovë Lajme

Kryeministri i ri britanik i shkruan Kurtit: Mbesim mbështetës të fortë të aspiratave të Kosovës

Screenshot

    Andy Burnham, kryeministri i ri britanik, është zotuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë mbështetëse e aspiratave euro-atlantike të Kosovës dhe se do të punojë në avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

    Në një përgjigje për urimin nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për marrjen e postit të kryeministrit britanik, Burnham ka theksuar se dy vendet gëzojnë partneritet të ngushtë dhe të qëndrueshëm.

    Në letër ai ka thënë se është krenar që Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar me popullin e Kosovës që nga intervenimi i NATO-s më 1999 dhe që u bë ndër shtetet e para që e njohën Kosovën si shtet.

    “Nuk ka dëshmi më të pastër të përkushtimit tonë se dislokimi i vazhdueshëm i forcave britanike në KFOR, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, thuhet në letrën e Burnhamit, të publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

    “Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mbështetëse e fuqishme në aspiratat euro-atlantike të Kosovës, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për të avancuar integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë zgjerimin e mbështetjes për aplikimin e saj për Këshillin e Evropës dhe përparimin e vazhdueshëm në rrugën e saj drejt NATO-s”, ka shkruar Burnham.

    Ai ka thënë po ashtu se shpreson që Kosova sa më shpejtë të formojë Qeverinë e re, për të thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror duke theksuar prioritetet në mbrojtje, siguri, tregti, investime e luftimin e migrimit të parregullt dhe forcimin e partneritetit ekonomik.

    “Si mike e afërme e Kosovës, Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar për sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Kosovën në mbështetje të një të ardhme më stabile, më të lidhur dhe më prosperuese për rajonin”, ka shkruar Burnham.

    Burnham mori detyrën më 20 korrik, pas dorëheqjes së Keir Starmerit.