Kosovë Lajme

Gallup vlerëson Kosovën, Sveçla: Jemi ndër pesë vendet e para në Evropë

    Republika e Kosovës është renditur ndër pesë vendet e para në Evropë dhe në vendin e 14-të në nivel global në Indeksin e Ligjit dhe Rendit për vitin 2025, të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Gallup.

    Sipas raportit, Kosova ka marrë gjithsej 90 pikë në perceptimin e sigurisë personale dhe besimit në rendin dhe ligjin, duke tejkaluar edhe mesataren botërore.

    Lidhur me këtë rezultat ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë dhe angazhimin e zyrtarëve në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

    “Edhe një vlerësim pozitiv për Kosovën në Indeksin e Ligjit dhe Rendit për vitin 2025”, ka shkruar Sveçla.

    Ai ka theksuar se ky rezultat është fryt i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përkushtimit të vazhdueshëm të zyrtarëve që janë në shërbim të qytetarëve.

    “Ky vlerësim vjen si rezultat i punës profesionale dhe të koordinuar të institucioneve tona të sigurisë, si dhe përkushtimit të vazhdueshëm të zyrtarëve tanë në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë publike”, ka deklaruar ministri.

    Më tej, Sveçla ka theksuar se garantimi i sigurisë së qytetarëve mbetet prioritet, duke nënvizuar edhe rëndësinë e kontributit të Kosovës në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë.

    “Garantimi i sigurisë së çdo qytetari mbetet prioriteti ynë”, ka theksuar ai.

    Në fund, ministri ka shprehur mirënjohje për të gjithë zyrtarët e institucioneve të sigurisë, duke riafirmuar vendosmërinë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe vazhdimin e angazhimit për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për të gjithë qytetarët.

    https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1733128212156781&id=100063788556625&ref=embed_post