Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për qumështin e prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi deri më 18 janar 2027.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të një serie të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi sipas AUV-it analizat laboratorike në Kosovë dhe Austri kanë konfirmuar tejkalimin e nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për qumështin e prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi deri më 18 janar 2027.
Analizat e kryera në Institutin për Sigurinë e Ushqimit në Linz të Austrisë kanë konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.050 mikrogramë për kilogram.
Ky rezultat përputhet me analizat e mëhershme të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, i cili kishte konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar në tri mostra të qumështit VITA 3.2%.
AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë seri të produktit dhe ta kthejnë atë në pikën e shitjes ku e kanë blerë.
Megjithatë, Agjencia ka bërë të ditur se tërheqja nga tregu, në këtë fazë, vlen vetëm për serinë e identifikuar, ndërsa produktet dhe seritë e tjera të prodhuesit nuk janë përfshirë në këtë masë.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë verifikimet në seritë e tjera të prodhimit, duke përfshirë kontrollin e qumështit të papërpunuar, furnizimit, sistemit të vetëkontrollit të kompanisë dhe ushqimit të kafshëve, për të identifikuar burimin e mundshëm të kontaminimit.
Aflatoksina M1 është substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve. Ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Ndërkohë, AUV ka paralajmëruar se masat e mëtejshme administrative dhe ligjore ndaj kompanisë do të përcaktohen pas përfundimit të verifikimeve dhe kontrolleve shtesë.

