Botë Lajme

Kënga nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së, reagon deputetja Marjana Koçeku: I detyrohen popullit të Kosovës një kërkimfalje publike

    Një koncert i organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel ka shkaktuar reagime, pasi gjatë aktivitetit është interpretuar melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

    Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila e ka cilësuar të papranueshëm interpretimin e kësaj kënge në një aktivitet që synon promovimin e bashkimit të kulturave evropiane.

    Në reagimin e saj, Koçeku ka rikujtuar krimet dhe pasojat e luftës në Kosovë, duke kërkuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian përgjegjës për organizimin e forumit një kërkimfalje publike ndaj popullit të Kosovës.

    Ajo ka përmendur shifrat e viktimave të luftës, refugjatëve dhe personave të zhdukur, duke theksuar se historia dhe vuajtjet e popullit të Kosovës nuk duhet të shpërfillen.

    Reagimi i plotë i Marjana Koçekut:

    Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel thuhet se u hap me kangën nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.
    Kjo asht e papranueshme! Një mesazh i tillë shpërfill vuajtjet dhe gjakun e derdhun të popullit të Kosovës dhe bie ndesh me vetë parimet dhe vlerat demokratike që Europa pretendon se mbron.
    1 milion refugjatë, 11 mijë të vramë, 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe 1,600 persona ende të zhdukun.
    Këto janë jetë njerëzish, familje të shkatërrueme dhe plagë që nuk kanë me u harru kurrë.
    Zyrtarët e Bashkimit Europian përgjegjës për organizimin e Forumit i detyrohen popullit të Kosovës një kërkimfalje publike.
    Europa duhet të qëndrojë në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë historike.

    https://x.com/Marjanakoceku/status/2122260621135675706?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E2122260621135675706%7Ctwgr%5Ea01dfd1353175215c3af561015e845a1ac3fbd5d%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Frrugapress.al%2Fkenga-nacionaliste-serbe-ne-forumin-e-zgjerimit-te-be-se-reagon-deputetja-marjana-koceku-i-detyrohen-popullit-te-kosoves-nje-kerkimfalje-publike%2F