Me të gjitha votat për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini ka miratuar në parim Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, gjatë prezantimit të projektligjit para anëtarëve të komisionit, tha se përmes tij synohet fuqizimi i inspektoratit dhe rritja e kapaciteteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në tërë territorin e Kosovës.
Bogujevci tha se me këtë projektligj Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore parashihet të themelohet si agjenci ekzekutive, duke mundësuar rritjen e numrit të inspektorëve dhe përmirësimin e kushteve për inspektimin e monumenteve.
“Me qëllim të avancimit të sistemit të inspektimeve në vendin tonë, pas miratimit të ligjit për inspektime dhe pas themelimit të zyrës së Inspektoratit të Përgjithshëm, ku është paraparë rregullimi i bazës ligjore për funksionim të inspektorateve qendrore, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hartuar projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Nëpërmjet këtij ligji, themelohej Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore si agjenci ekzekutive, duke mundësuar kështu përmirësimin e kushteve të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vend. Me këtë hap, ne fuqizojmë Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, duke e ngritur në nivel të agjencisë shtetërore. Me një formë të tillë ligjore, ne rrisim kapacitetet inspektuese dhe konsolidojmë kushtet për inspektim, inspektimin e trashëgimisë kulturore në tërë territorin e Kosovës. Ky mekanizëm institucional, në bashkëpunim të ngushtë edhe me koordinimin me organe të tjera inspektuese qendrore dhe lokale, si dhe me Inspektoratin e Përgjithshëm, do të sigurojë përmirësimin e procesit të inspektimeve krahas mbrojtjes dhe përmirësimit të gjendjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore, duke krijuar një mjedis më të sigurt për monumentet me vlera në Republikën e Kosovës. Rritet numri i inspektorëve”, tha ajo.
Gjatë diskutimit, deputeti i LDK-së, Parsi Guri, ngriti çështjen e pavarësisë së këtij institucioni, duke pyetur se si do të garantohet ajo, kur kryeinspektori do të raportojë te ministri.
Ai kërkoi gjithashtu sqarime për llojet e donacioneve nga të cilat mund të financohet inspektorati, sipas dispozitave të projektligjit.
Në përgjigje, ministrja Bogujevci tha se mënyra e funksionimit dhe raportimit të agjencisë përcaktohet nga Ligji për Administratën Shtetërore.
“Ministria nuk e rregullon se si funksionon agjencia, për shkak që ligji për administratën e përcakton qysh funksionon dhe qysh janë format e raportimit”, tha ajo.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, kërkoi sqarime lidhur me statusin dhe organizimin e inspektoratit, konkretisht nëse qendrat do t’i raportojnë Inspektoratit Qendror.
Ministrja tha se kapacitetet aktuale të inspektorateve nuk mundësojnë mbulimin e të gjithë territorit të Kosovës dhe se projektligji synon fuqizimin e inspektimit pa ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të tjera.
“Me inspektoret aktuale nuk mund të mbulohet tërë territori i Kosovës. Ka organizime të tjera të inspektimit, ka për qëllim me fuqizu pjesën e inspektorëve për atë vjen në agjenci. Kjo është e konsultuar me ligjin për trashëgimi. Nuk i ndërhyn as kujt në kompetencat e veta”, tha ministrja.
Kurse, deputeti Albert Kinolli, ngriti edhe çështjen e Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren, i cili, sipas tij, prej disa vitesh është duke u rinovuar, ndërsa vizitorët që shkojnë për ta parë monumentin i gjejnë dyert e mbyllura.
Ai propozoi rritjen e numrit të inspektorëve, ndërsa ministrja tha se pikërisht ky është një nga synimet e projektligjit, për të rritur kapacitetet dhe për të mundësuar mbulimin e tërë territorit të Kosovës.

