Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati e ka akuzuar ministrin e Financave Hekuran Murati për mosnënshkrim të kredisë në vlerë prej 74 milionë euro për pastrimin e rajonit të Prishtinës.
Sipas saj këtë e ka rikonfirmuar Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).
“Dje, së bashku me kryeshefin e KRM ‘Pastrimit’, pritëm në takim delegacionin e KfW-së gjermane ku edhe njëherë na u rikonfirmua që ministri i Financave nuk po e nënshkruan kredinë 74 milionëshe për pastrimin e rajonit të Prishtinës. Është e turpshme, e dhimbshme dhe qyqare që një ministër për inate politike të bllokojë pastrimin e Prishtinës. 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontenjerë, qendër për riciklim të mbeturinave janë investime që po humbin sepse Hekruan Murati mbanë inate politike”, ka shkruar Musmurati.
Ajo e ka fajësuar Muratin për bllokim të qëllimshëm të pastrimit të Prishtinës.
“Ne nuk do të ndalemi, do të gjejmë forma tjera të pastrimit të qytetit, por qytetarët e Prishtinës nuk do të falin papërgjegjësinë e skajshme të një partie që ka për qëllim bllokadën e jo zhvillimin. Qytetarët e Prishtinës do të mbajnë mend që një ministër bllokoi qëllimisht pastrimin e qytetit”, ka shkruar Musmurati.
Të hënën e kësaj jave ministri i Financave Hekuran Murati, ka folur për akuzat e Komunës së Prishtinës se po e pengon duke mos e nënshkruar fillimin e projektit me Bankën Zhvillimore për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë.
Për këtë, Murati ka thënë se investitori nuk e mbështet një projekt të tillë pasi kërkohet qëndrueshmëri e kompanisë ekzistuese që bën mbledhjen dhe menaxhimin ne mbeturinat, që në këtë rast është kompania “Pastrimi”.
Murati ka cituar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili thoshte se do të shuhet kompania “Pastrimi” dhe do të themelohet një tjetër. Sipas ministrit Murati kjo tregon paqëndrueshmëri dhe pamundëson zbatimin e projektit nga Qeveria gjermane.

