Kosovë Lajme

Gjeneralmajor Vergori merr komandën e KFOR-it në Kosovë

    Të mërkurën është bërë ndërrimi i komandës së KFOR-it nga gjeneralmajori turk, Oezkan Ulutash te gjeneralmajori italian Roberto Vergori.

    Në këtë ceremoni po marrin pjesë edhe presidentja Justina Shiroka-Pula, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Shiroka-Pula e vendit ka falënderuar KFOR-in për ruajtjen e paqes në vend tash e 27 vite, duke thënë se me mbështetjen e KFOR-it janë fuqizuar institucionet e sigurisë së Kosovës.

    E komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), admirali George M. Wikoff, ka thënë se misioni i KFOR-it në Kosovë mbetet i përqendruar në sigurimin e një mjedisi të sigurt, në mënyrë që të gjitha komunitetet të mund të jetojnë në paqe.

    Wikoff ka theksuar se për më shumë se 27 vjet, pjesëtarë të KFOR-it nga mbi 31 shtete kanë shërbyer në Kosovë, duke kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve.

    “Mandati është i qartë: të vendosë, të ofrojë dhe të ruajë mjedis të sigurt në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjithë të mund të jetojnë në paqe. Për më shumë se 27 vjet, burrat dhe gratë nga mbi 31 shtete kanë shërbyer me krenari në kuadër të këtij mandati fisnik, me profesionalizëm dhe guxim. Për 27 vjet, ata janë përkushtuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, është shprehur ai, raportoi EO.

    Admirali Wikoff ka vlerësuar gjithashtu përkushtimin e pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët kanë shërbyer larg familjeve të tyre për të kontribuar në një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.

    Ai ka folur edhe për zhvillimin e vazhdueshëm të misionit dhe synimin e NATO-s për të rritur kapacitetet e ndihmës humanitare dhe për të shfrytëzuar burimet në dispozicion.

    “Për 27 vjet, pjesëtarët e KFOR-it kanë shërbyer larg shtëpive të tyre dhe të ndarë nga familjet, për t’u siguruar njerëzve, të cilët shpesh nuk i kanë takuar kurrë, një jetë më të mirë. Mandati i KFOR-it është vërtet fisnik, sepse ata që shërbejnë në këtë mision i përkushtohen një qëllimi më të madh se vetja. Ata u shërbejnë të tjerëve. Ky mision vazhdon të evoluojë, ndërsa NATO-ja synon të rrisë kapacitetet për ofrimin e ndihmës humanitare përmes një procesi të vazhdueshëm të optimizimit, duke maksimizuar efektivitetin e KFOR-it përmes integrimit dhe përdorimit sa më efikas të burimeve”, tha ai.

    Presidentja Shiroka-Pula ka thënë se Kosova synon avancimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në NATO, duke theksuar rëndësinë e Partneritetit për Paqe dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë.

    Ajo ka vlerësuar rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes në Kosovë për më shumë se 27 vjet, si dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve të sigurisë së vendit.

    “Kur shikojmë këtë strategji, ne e shohim atë si një gur themeli për avancimin e rrugës sonë drejt anëtarësimit në NATO. Këtu Partneriteti për Paqe, korniza jonë e sofistikuar për anëtarësimin në NATO, e bën të qartë: ne synojmë që KFOR-i një ditë të mos jetë vetëm një siguri paqeruajtëse, por edhe një mjet i drejtpërdrejtë sigurie”, tha ajo.