Kosovë Lajme

Konjufca: Kërcënimet nga Serbia kujtesë se paqja s’duhet të merret si e mirëqenë

    Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se kërcënimet që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi keqdashës rus në Ballkan, janë kujtesë që paqja s’duhet të merret si e mirëqenë.

    Për të pasur paqe të sigurt duhet angazhim i vazhdueshëm, ka vlerësuar Konjufca në një takim me ministrin e Jashtëm të Estonisë, Margus Tsahkna, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë.

    “Estonia është një shembull i veçantë se si përvoja historike e një populli mund të shndërrohet në vetëdije për lirinë dhe në aftësi për ta mbrojtur atë. Sot, këtë e dëshmon edhe përmes rolit të saj prijës në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike. Në qendër të bisedës sonë ishte perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës, e lidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Kërcënimet që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi keqdashës rus na kujtojnë se paqja nuk është një gjendje që mund të merret si e mirëqenë, por një përgjegjësi që kërkon angazhim të vazhdueshëm. Integrimi evropian i Kosovës është pjesë e forcimit të kësaj paqeje dhe të sigurisë së vetë Evropës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Ai ka falënderuar Estoninë për mbështetjen për Kosovën.