Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia ende nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2011 dhe mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti, këtë çështje e ka ngritur gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga Qendra për Avokim dhe Trajnim (ATRC) dhe Banka Botërore, ku ka folur për të drejtën e pronës, reformat në kadastër dhe mbështetjen për qytetarët.
Kurti ka ritheksuar se Serbia nuk e ka përmbushur obligimin për dorëzimin e dokumentacionit kadastral, ndonëse marrëveshja për këtë çështje është nënshkruar në vitin 2011.
“Natyrisht që është sfidë e veçantë, për këtë tendencë mbetet fakti që janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar më datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin”, ka theksuar ai.
Kurti ka theksuar se dokumentacioni pronësor është thelbësor për sigurinë juridike dhe mirëqenien e familjeve.
“Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë, banesës, e po ashtu edhe të mirëqenies dhe dinjitetit të një familjeje”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për rezultatet e projektit PIAKOS, kryeministri ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ATRC-së, duke thënë se përmes këtij programi qytetarët janë mbështetur drejtpërdrejt në 16 komuna të vendit.
Sipas tij, gratë kanë përfituar veçanërisht nga ndihma për rregullimin e dokumentacionit pronësor dhe procedurat e trashëgimisë.
“Bashkëpunimi i qeverisë sonë me Qendrën për Avokim dhe Trajnim (ATRC), nëpërmjet programit PIAKOS, është me të vërtetë një vlerë e shtuar, sepse ai nuk u ndal te fushata informuese, por u zbatua në terren me qytetarët, përmes mbështetjes direkte në 16 komuna anë e mbanë Kosovës”, ka thënë ai.
Kurti ka përmendur edhe rritjen e regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve. Sipas shifrave që ai prezantoi, nga rreth 100 prona të regjistruara në vitin 2016, numri ka arritur në rreth 31 mijë.
“Kemi bërë një rritje 300-fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se dokumentacioni i rregullt pronësor është i rëndësishëm edhe për përfitimin nga programet publike të renovimit dhe rindërtimit të shtëpive, si dhe nga skemat e banimit social.
Në këtë drejtim, Kurti ka përmendur projektin REGIP, i cili po zbatohet në bashkëpunim me Bankën Botërore për rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale në Kosovë.
“Qeveria ka ndërmarrë reforma konkrete në pronë dhe kadastër. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, përmes projektit REGIP, kemi shtyrë përpara rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale në gjithë Kosovën”, ka thënë ai.
Kryeministri ka folur edhe për masat kundër falsifikimit dhe tjetërsimit të paligjshëm të pronës publike, duke theksuar se rastet e dyshimta po përcillen te organet e drejtësisë.
“Nuk ka më tolerancë për abuzimet, falsifikimet apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Çdo parregullsi dhe çdo dosje e dyshimtë, qoftë në proces të shpronësimeve apo të kadastrit, po dërgohet me vendosmëri në prokurori”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur gjithashtu regjistrimin e pronave në veri të Kosovës dhe emërtimin e rrugëve në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Sipas Kurtit, janë verifikuar dhe regjistruar mbi 23 mijë e 600 prona të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë.

