Kosovë Lajme

Albulena Haxhiu takon auditoren e përgjithshme, Vlora Spanca

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim auditoren e përgjithshme, Vlora Spanca, të cilën e ka përgëzuar për punën e saj dhe rizgjedhjen nga kuvendi për një mandat të ri pesëvjeçar.

    Haxhiu ka theksuar se raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit përbëjnë një bazë të rëndësishme për mbikëqyrjen parlamentare.

    “Sot prita në takim auditoren e përgjithshme, znj. Vlora Spanca, të cilën e përgëzova për punën e saj dhe për rizgjedhjen nga Kuvendi për një mandat të ri pesëvjeçar.

    Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit përbëjnë një bazë të rëndësishme për mbikëqyrjen parlamentare. Në legjislaturën e njëmbëdhjetë, kuvendi do t’i shqyrtojë me seriozitet këto raporte dhe do t’u kërkojë institucioneve llogari për zbatimin e rekomandimeve të auditimit.

    Paraja publike u përket qytetarëve, të cilët kanë të drejtë të dinë se si shpenzohet çdo euro e mbledhur nga taksat e tyre. Llogaridhënia nuk është zgjedhje, por detyrim institucional dhe parim themelor i sundimit të ligjit.”, thuhet në njoftimin e Haxhiut.