Rajon

Hoxha i reagon Daçiqit: Kosova është realitet i pakthyeshëm

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili gjatë fushatës në Serbi tha se “Serbia do ta ngrinte sërish flamurin në Prizren”.

    “Një ministër serb, gjatë fushatës, i premtoi audiencës së tij se ‘do ta ngrinte sërish flamurin e tyre’ në Kosovë. Një gjuhë e tillë nxitëse mund të shpërfillej si retorikë politike, po të mos ekzistonte rreziku shumë real që ajo t’u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në përputhje me të. Këtë e kemi parë edhe më parë, shumë herë. Rasti i Banjskës, ku llogaridhënia e plotë ende mungon, mbetet një kujtesë e qartë e asaj që mund të ndodhë kur fjalët shndërrohen në veprime. Shqipëria mbetet thellësisht e bindur se e vetmja rrugë përpara, sado e vështirë të jetë, qëndron te marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi rajonal dhe përpjekjet e sinqerta për të shëruar plagët e së kaluarës dhe për të ecur drejt pajtimit”, ka shkruar Hoxha në rrjetin social “X”. “Por nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal përderisa realitetet mohohen, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve ose përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike”.

    Hoxha në postimin në “X” ka thënë se Ballkani Perëndimor e di shumë mirë se ku mund të çojnë përçarja, nacionalizmi dhe retorika nxitëse.

    “Nuk mund t’ia lejojmë vetes të harrojmë këto mësime, e aq më pak t’i përsërisim. Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë dhe një vend që po e konsolidon vazhdimisht vendin e tij në komunitetin evropian dhe ndërkombëtar. Ajo është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe e ardhmja e saj duhet të jetë e mbushur me paqe, siguri, përfshirje dhe integrim evropian. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në çdo mënyrë të mundshme”, ka shkruar Hoxha.

    Daçiq gjatë një fjalimi në Rashkë më 7 tetor tha se “herët a vonë, flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren, të jeni të sigurt”.