Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka njoftuar se ka përfunduar shtrirja e rrjetit falas të internetit “Wi-Fi for Western Balkans” në 33 komuna të Kosovës, në gjithsej 43 lokacione publike.
Me këtë rast, Jagxhiu ka thënë se rrjeti tashmë po përdoret nga qytetarët, duke theksuar se janë regjistruar mbi 1.1 milion lidhje në internet përmes këtij projekti në Kosovë.
Vetëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sipas tij, janë regjistruar mbi 14 mijë lidhje brenda rreth gjashtë javësh.
Ai ka theksuar se projekti është pjesë e përpjekjeve për transformimin digjital të vendit dhe për të siguruar qasje më të lehtë në internet për të gjithë qytetarët.
Jagxhiu ka përmendur edhe zgjerimin e shërbimeve elektronike përmes platformës e-Kosova, e cila aktualisht ofron mbi 330 shërbime për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa, përmes e-Kosova 2.0, synohet shtimi i 400 shërbimeve të tjera gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar se qasja falas në internet në hapësirat publike krijon mundësi të reja për studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Ai ka thënë se kjo mundësi mund t’u shërbejë studentëve për të mësuar, të rinjve për të aplikuar për punë dhe qytetarëve për të përdorur shërbimet elektronike pa humbur kohë.
Rama ka theksuar se Prishtina, si kryeqytet me popullatë të re dhe me potencial të madh, synon të krijojë kushte që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre në vend.
Boguslaw Gertruda, nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cilësoi projektin si rezultat konkret të bashkëpunimit për zgjerimin e qasjes në internet dhe vlerësoi se numri i lidhjeve tregon rëndësinë praktike të kësaj nisme për qytetarët.
“Ky është një rezultat konkret, të cilin qytetarët mund ta përjetojnë drejtpërdrejt, duke pasur mundësi të lidhen falas me internetin në hapësirat publike në 33 komuna të vendit. Deri më tani, në këto pika të qasjes në internet në të gjithë Kosovën janë regjistruar më shumë se 1.1 milion hyrje në rrjet. Ky është një numër mbresëlënës, që dëshmon si kërkesën e madhe, ashtu edhe vlerën praktike të kësaj nisme. Kjo na përkujton se transformimi digjital i Evropës nuk është diçka abstrakte”, theksoi ai.
Kurse, Daniel Alker, shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë tha se projekti është rezultat i mbështetjes evropiane dhe gjermane, në bashkëpunim me partnerët lokalë. Ai theksoi se krahas instalimit të infrastrukturës, rëndësi të veçantë ka mirëmbajtja e saj dhe sigurimi i funksionimit në afat të gjatë.
“Ky projekt është shembull i mirë i asaj që mund të arrihet kur mbështetja evropiane dhe gjermane kombinohet me partneritet të fortë lokal në Kosovë. Kur flasim për Wi-Fi publik, ajo që shihet është shumë e thjeshtë, një pikë qasjeje dhe një lidhje interneti. Por, pas këtij rezultati të thjeshtë, qëndron një proces dukshëm më kompleks. Megjithatë, instalimi i infrastrukturës është vetëm një pjesë e procesit. Po aq e rëndësishme është të sigurohet që ajo të vazhdojë t’u shërbejë komuniteteve në afat të gjatë dhe që, së bashku, të arrijmë të ndërtojmë infrastrukturë të qëndrueshme në të mirë të qytetarëve. Mendoj se kjo është një pikë të cilën dëshiroj ta theksoj qëndrueshmëria. Siç kemi dëgjuar, Bashkimi Evropian ka siguruar financimin fillestar për 18 muaj të projektit, por, natyrisht, ne dëshirojmë që kjo infrastrukturë të vazhdojë të shfrytëzohet dhe të mirëmbahet për shumë vite të ardhshme”, pohoi ai.
Projekti “Wi-Fi for Western Balkans”, i frymëzuar nga programi Wi-Fi4EU i Bashkimit Evropian, është realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Gjermanisë, përmes projektit EU4Digital, ndërsa zbatimi është bërë nga GIZ-i, në bashkëpunim me komunat dhe Telekomin e Kosovës.

