Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Kosova ka ulur nga 500 në 300 euro kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve, si masë për të parandaluar financimin e paligjshëm dhe për të rritur gjurmueshmërinë e transaksioneve financiare.
Ai këto deklarime i bëri në aktivitetin e Procesit të Berlinit, të organizuar nga Ministria e Financave, për financat e paligjshme, “Beyond Compliance – Ndërtimi i ekonomive të qëndrueshme përmes integritetit financiar”.
Duke folur për masat që po ndërmerren në Kosovë në fushën e integritetit financiar, Murati ka thënë se për transaksionet ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, kufiri i pagesave me para të gatshme është 2.000 euro, ndërsa pjesa tjetër duhet të realizohet përmes transaksioneve të gjurmueshme në institucione financiare të licencuara në vend.
“Ne e kemi ulur kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve nga 500 në 300 euro. Ndërsa për transaksionet ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, kufiri i pagesave me para të gatshme tani është 2.000 euro. Pjesa tjetër mund të kryhet, ose duhet të kryhet, përmes një transaksioni të gjurmueshëm në një institucion financiar të licencuar në vend. Përveç kësaj, së fundmi ka pasur zhvillime edhe në fushën e përgjegjësisë së Bankës Qendrore. Ajo ka ndërmarrë hapa për të vënë nën kontroll dhe për të licencuar edhe operatorët e këmbimit që përdorin kriptovaluta”, ka theksuar Murati.
Ndërkaq, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ka theksuar se integriteti financiar është thelbësor për ndërtimin e ekonomive të besueshme, mbrojtjen e burimeve publike dhe krijimin e kushteve për konkurrencë të drejtë ndërmjet bizneseve.
“Integriteti financiar, në thelb, ka të bëjë me ndërtimin e ekonomive në të cilat njerëzit mund të kenë besim, ku bizneset legjitime konkurrojnë në mënyrë të drejtë, burimet publike mbrohen, kapitali mbështet investimet produktive dhe sistemet financiare janë të qëndrueshme përballë pastrimit të parave, korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare. Kjo qasje ambicioze lidhet drejtpërdrejt me katër prioritetet strategjike të kryesimit të Malit të Zi në Procesin e Berlinit: rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe konkurrueshmërinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë, si dhe tranzicionin e gjelbër dhe të qëndrueshëm”, tha ai.
Çobaj ka vlerësuar se Procesi i Berlinit krijon mundësi për bashkëpunim rajonal dhe për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta në luftimin e flukseve të paligjshme financiare.
Edhe zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, ka theksuar rëndësinë e transparencës, inovacionit dhe partneritetit për të luftuar flukset e paligjshme financiare.
Ajo ka thënë se institucionet duhet të mbyllin zbrazëtitë ligjore që mundësojnë fshehjen e pronësisë së kompanive, të përdorin teknologjinë për identifikimin e parregullsive dhe të forcojnë shkëmbimin e informacioneve ndërmjet institucioneve dhe shteteve.

