Reagimeve ndërkombëtare për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale u janë përgjigjur deputetë të partive të opozitare. Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se ligji mund të gjejë mënyrën e zbatimit, pavarësisht reagimeve, e ligjvënësi i Aleancës, Besnik Tahiri thotë se ndryshimet nuk e zhbëjnë por vetëm e përmirësojnë Gjykatën. Një tjetër mundësi për institucionet e Kosovës e sheh analisti Blerim Vela – përdorimin e ligjit si pikënisje për negociata me BE-në.
Në Bashkimin Evropian kanë reaguar sërish lidhur me ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Zëdhënësi i Unionit, Christian Wigand ka thënë se plotësim-ndryshimi i miratuar të martën vonë, bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të siguruar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe angazhimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve duhet të sigurohet”, tha zëdhënësi BE-së, Wigand.
Reagim të ngjashëm nga BE-ja bënë edhe dje. Megjithatë deputeti i Partisë Demokratike Përparim Gruda, që është njëri nga draftuesit e ligjit të ri, të mërkurën tha se ndryshimet nuk prekin obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
E Lutfi Haziri, që është ligjvënës nga Lidhja Demokratike, tha se reagimet ndërkombëtare janë të pritshme.
Megjithatë, sipas Hazirit, i cili nuk e votoi plotësim-ndryshimin e ligjit, ai mund të gjejë zbatim.
“Në këtë frymë pak a shumë është e pritur për LDK-në, por është vendim i Kuvendit të Republikës, institucion që përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës, Dhomat e Specializuara kanë dalë si prodhim dhe votim i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ka ndarje të sovranitetit në drejtësi, por kjo me koordinim, me bashkëpunim mund të rregullohet dhe mund të gjendjen mënyra për ta zbatuar ligjin”, tha Haziri.
E deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri tha se ligji i ri nuk lejon që Gjykata të dalë përtej obligimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova.
“I cili vjen si rrjedhojë e shumë dështimeve jo vetëm në procesin gjashtë vjeçar por edhe në aspektin edhe qëllimin për çka është themeluar. Kufizimi ka të bëjë me të drejtën e Kuvendit të Kosovës, ky kufizim nuk e zhbën por e përmirëson një institucion që synon të ketë drejtësi, vendimi është i plotfuqishëm”, tha Tahiri.
Kryeministri Albin Kurti nuk ka komentuar lidhur me reagimet ndërkombëtare.
Një ditë më parë kanë reaguar edhe në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, ku kanë bërë thirrje që vendi t’i përmbahet obligimeve ndërkombëtare.
Ndryshimet e ligjit të Speciales, të sponsorizuara nga PDK-ja parashohin kufizim të mandatit të Speciales dhe bartje në Kosovë të shkallës së tretë të gjykimit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të dënuar nga shkalla e parë me 81 vjet burgim në total.
E Blerim Vela, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë se, ndonëse ligji është vështirë i zbatueshëm, ai mund të përdoret si levë nga institucionet e Kosovës për negociata me BE-në, që katërshes së akuzuar t’i garantohet mbrojtje me Konventën Evropiane për të Drejta të Njeriut.
“Institucionet e Kosovës – qeveria dhe presidentja e re duhet ta shfrytëzojnë faktin e miratimit të këtij ligji si pikënisje për negociata me institucionet e BE-së për të arritur që Dhomat e Specializuara të vihen në një kornizë evropiane të vlerësimit dhe standardeve evropiane, që nënkupton pra që Kosovës t’i jepet mundësia që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe të bëhemi pjesë e mekanizmit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, tha Vela.
E sipas Demush Shashës, njohës i politikave evropiane, tha se me miratimin e ndryshimeve të ligjit Kosova po e sfidon sistemin ndërkombëtar i cili e bëri ekzistencën e saj të mundur.
“Nga ana tjetër Kosova është në të drejtën e saj t’i konsiderojë vendimet e Hagës si të padrejta. Ato janë qëndrimet legjitime historike, politike dhe ligjore. Sidoqoftë sfidimi i këtyre vendimeve duhet të ndodhë vetëm brenda normave dhe rregullave që janë pjesë e rendit perëndimor ndërkombëtar, jo duke i sfiduar ato. Të sfidosh ato është të sfidosh themelet mbi të cilat qëndron i gjithë rrëfimi i historisë sonë moderne”, tha Shasha.
Ndër dokumente themeluese të Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë në Hagë është shkëmbimi i letrave mes presidentes së atëhershme Atifete Jahjaga me Përfaqësuesen e Lartë e BE-së, Catherine Ashton.
Me anë të këtij shkëmbimi, Kosova mori obligim të krijonte Gjykatën dhe Zyrën e Prokurorit e gjithashtu edhe u zotua të konsultohej me autoritetet përkatëse të BE-së për ndryshimin eventual të ligjeve që preknin punën e Speciales.
Kuvendi e ratifikoi Shkëmbimin e Letrave më 23 prill 2014, duke i dhënë atij statusin e një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

