Botë Lajme

Vuçiq, Moska dhe zgjedhjet në Serbi: Si po përdoret ndikimi rus në betejën për pushtet

    Lidhjet e ngushta me Kremlinin, narrativat për një “revolucion me ngjyra”, partitë që regjistrohen si përfaqësuese të pakicës ruse dhe akuzat për ndërhyrje në zgjedhje po e vendosin ndikimin rus në qendër të betejës politike në Serbi.

    Aleksandar Vuçiq përballet me sfidën e lëvizjes studentore, ndërsa Moska ka interes në ruajtjen e marrëdhënieve me pushtetin aktual në Beograd.

    Zgjedhjet nuk janë vetëm një garë mes pushtetit dhe opozitës. Ato zhvillohen në një mjedis ku ndërthuren interesat e brendshme, marrëdhëniet me Rusinë dhe Perëndimin, kontrolli mbi mediat dhe përpjekjet për të ndikuar në perceptimin e qytetarëve për opozitën dhe protestat.

    Për të kuptuar rolin e Moskës, duhet dalluar ndikimi i dokumentuar rus nga interesat e përbashkëta të Beogradit dhe Kremlinit dhe akuzat për koordinim të drejtpërdrejtë zgjedhor.

    Për Vuçiqin, marrëdhëniet me Rusinë shkojnë përtej politikës së jashtme. Ato janë pjesë e një modeli që ndërthur pushtetin e brendshëm, mbështetjen e elektoratit pro-rus dhe manovrimin mes Moskës, Brukselit dhe Uashingtonit.

    Interesat e Vuçiqit dhe Kremlinit mund të përputhen në një pikë thelbësore, ruajtjen e modelit aktual të qeverisjes në Serbi.

    Beogradi dhe Moska kanë interes të përbashkët politik dhe të sigurisë për ta ruajtur këtë model dhe për t’i paraqitur protestat masive si përpjekje për destabilizim të vendit nga jashtë. Pra, dryshimi i pushtetit do të krijonte pasiguri për Moskën, pasi një qeveri me institucione më të forta dhe kontroll më të madh parlamentar do të ishte partner më pak i parashikueshëm për Kremlinin.

    Kjo nuk dëshmon se Moska e kontrollon drejtpërdrejt Vuçiqin, por tregon përputhjen e interesave që mund ta bëjë Rusinë faktor në ruajtjen e ekuilibrit aktual politik.

    Protestat dhe narrativa e “revolucionit me ngjyra”

    Një nga shfaqjet më të dukshme të kësaj përputhjeje është mënyra se si Beogradi dhe zyrtarët rusë i paraqesin protestat kundër qeverisë.

    Pas vdekjes së 16 personave nga shembja e tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, Serbia u përfshi nga protesta të gjera, të udhëhequra kryesisht nga studentët, të cilët kërkojnë përgjegjësi institucionale, sundim të ligjit dhe ndryshime në qeverisje.

    Autoritetet serbe i kanë cilësuar protestat si përpjekje për një “revolucion me ngjyra”, term që përdoret për lëvizjet që synojnë ndryshimin e pushtetit dhe që në diskursin rus lidhet shpesh me ndërhyrjen perëndimore.

    Edhe Moska ka shprehur shqetësime të ngjashme.

    Në gusht, ambasadori rus në Beograd, Alexander Bocan Kharchenko, deklaroi se udhëheqja serbe nuk mund ta përjashtonte rrezikun e një “revolucioni me ngjyra” pas zgjedhjeve, pavarësisht rezultatit. Më herët, Kremlini kishte thënë se nuk mund ta përjashtonte mundësinë që protestat të ishin pjesë e një përpjekjeje të tillë.

    Kjo gjuhë krijon një kornizë të përbashkët interpretimi, ku protestat nuk paraqiten si shprehje e pakënaqësisë qytetare, por si proces i nxitur nga jashtë.

    Për pushtetin serb, kjo narrativë mund ta zhvendosë vëmendjen nga kërkesat e protestuesve drejt pretendimeve për ndërhyrje të huaj. Për Moskën, ajo përputhet me kundërshtimin e zgjerimit të ndikimit perëndimor në rajon.

    Partitë e pakicës ruse dhe mekanizmat zgjedhorë

    Një tjetër dimension i ndikimit rus lidhet me partitë që regjistrohen si përfaqësuese të pakicës kombëtare ruse.

    Themelimi i Partisë së Unitetit Ruso-Serb, e udhëhequr nga Rade Saviq, dhe pjesëmarrja e Partisë Ruse në zgjedhje kanë rikthyer debatin mbi përdorimin e statusit të pakicave për të përfituar nga lehtësirat zgjedhore.

    Në Serbi, partitë e pakicave nuk i nënshtrohen pragut të përgjithshëm zgjedhor prej tre përqind, çka ua lehtëson përfaqësimin në parlament. Megjithatë, ky mekanizëm ka ngritur shqetësime për abuzime të mundshme.

    Në rastin e Partisë së Unitetit Ruso-Serb, pikëpyetjet lidhen me përfaqësimin real të komunitetit rus, lidhjet me Moskën dhe qëllimin e pjesëmarrjes në zgjedhje.

    Komuniteti rus në Serbi ka pak më shumë se 10 mijë anëtarë, ndërsa partia e re është e njëmbëdhjeta që regjistrohet në emër të tij.

    Megjithatë, nëse partitë që paraqiten si përfaqësuese të pakicës ruse përdoren për të mobilizuar elektoratin pro-rus, përfaqësimi i pakicave mund të shndërrohet në instrument të konkurrencës politike.

    Rasti i Partisë Ruse në Nish tregon se si një mandat i fituar përmes këtij mekanizmi mund të ndikojë në balancat lokale.

    Pas zgjedhjeve lokale të qershorit 2024, Partia Ruse fitoi një mandat në këshillin komunal të Nishit dhe hyri në koalicion me Partinë Progresive Serbe të Vuçiqit, duke ndryshuar raportin e forcave në favor të koalicionit qeverisës, i cili deri atëherë kishte po aq mandate sa opozita.

    Ky rast tregon se partitë e vogla të pakicave mund të luajnë rol vendimtar në formimin e shumicave politike.

    Këshilltari Tihomir Periq, më parë anëtar i Partisë Radikale Serbe, ishte pjesë e listës së Partisë Ruse për zgjedhjet parlamentare.

    Ky zhvillim ushqen dyshimet për lidhje mes partive të pakicës ruse dhe strukturave të pushtetit, por përputhja e interesave nuk dëshmon marrëveshje të drejtpërdrejtë mes Vuçiqit dhe këtyre partive.

    Dezinformimi dhe hapësira informative

    Përtej partive, hapësira informative është një nga kanalet kryesore të ndikimit rus në Serbi.

    Moska ndikon në mjedisin zgjedhor përmes fushatave të dezinformimit në rrjetet sociale, mediave të afërta me pushtetin dhe mediave shtetërore ruse, si Sputnik dhe RT.

    Ndryshe nga Bashkimi Evropian, Serbia u ka lejuar këtyre mediave të vazhdojnë transmetimin e programeve të tyre.

    Përmbajtjet pro-ruse shpërndahen edhe përmes llogarive anonime dhe portaleve që ripublikojnë mesazhe nga Moska.

    Një shembull është faqja “Govorit Moskva”, e cila publikon në serbisht fjalime të Vladimir Putinit, duke përhapur mesazhe për sukseset e pretenduara të Rusisë në luftën kundër Ukrainës dhe kritika ndaj Perëndimit.

    Në këtë mjedis, narrativat pro-ruse mund të ndërthuren me komunikimin politik të pushtetit serb, veçanërisht kur të dyja palët e paraqesin Perëndimin si faktor destabilizues.

    Kështu, qytetarët mund të ekspozohen ndaj mesazheve të ngjashme nga burime të ndryshme, pa qenë e domosdoshme të ekzistojë koordinim i drejtpërdrejtë mes tyre.

    Një zhvillim tjetër që ka ngritur pikëpyetje është deklarata e Branimir Nestoroviqit, udhëheqës i lëvizjes parlamentare “Ne, Fuqia e Popullit”, se Moska po kërkon bashkimin e forcave pro-ruse në Serbi.

    Më 16 shtator, Nestoroviq deklaroi se ishte pritur në Moskë në “nivelin më të lartë” në fund të gushtit dhe se ekzistonte mundësi reale për bashkimin e partive pro-ruse.

    Nëse konkretizohet, një bashkim i tillë mund të krijojë një bllok politik më të organizuar pro-rus. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse do të synonte mbështetjen e Vuçiqit, konkurrimin me të apo krijimin e një force të veçantë për të ushtruar presion mbi pushtetin.

    Për Kremlinin, bashkimi mund të shërbejë për ruajtjen e ndikimit në Serbi. Për Vuçiqin, këto forca mund të jenë njëkohësisht burim mbështetjeje dhe faktor që duhet menaxhuar në raport me elektoratin pro-rus.

    Marrëdhëniet mes Vuçiqit dhe Kremlinit

    Marrëdhëniet mes Vuçiqit dhe Kremlinit janë ndërtuar ndër vite përmes bashkëpunimit politik, energjetik dhe të sigurisë.

    Serbia vazhdon të mbështetet në importet e gazit rus dhe refuzon t’u bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës.

    Gazprom Neft është pronare kryesore e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ndërsa negociatat për shitjen e kompanisë, e cila është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse, kanë zgjatur prej muajsh.

    Në politikën serbe, figura të afërta me Moskën kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveri dhe institucionet e sigurisë.

    Aleksandar Vulin, i cili ka drejtuar institucione të policisë, mbrojtjes dhe Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë (BIA), ka ruajtur lidhje të ngushta me strukturat ruse. Ai u largua nga drejtimi i BIA-s disa muaj pasi u përfshi në listën e sanksioneve amerikane.

    Ndërkohë, politikani dhe biznesmeni Nenad Popoviq, i cili ka një rrjet kompanish në Rusi, është pjesë e qeverisë serbe në largim.

    Këto lidhje tregojnë se ndikimi rus nuk kufizohet te propaganda apo mbështetja e partive pro-ruse, por përfshin edhe marrëdhënie institucionale dhe ekonomike që mund të ndikojnë në orientimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

    Humbja e përfaqësuesve pro-rusë në qeveri do t’ia zvogëlonte Moskës qasjen e drejtpërdrejtë në qendrat e vendimmarrjes, pa e zhdukur ndikimin e saj në shoqërinë serbe.

    Ndryshe nga partitë që e vendosin marrëdhënien me Rusinë në qendër të programit, kjo listë është përqendruar te problemet e brendshme, sundimi i ligjit dhe pakënaqësia qytetare.

    Kjo e bën të vështirë të përcaktohet se çfarë qëndrimi do të mbante një qeveri e ardhshme e udhëhequr prej saj ndaj Rusisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës apo Ukrainës.

    Për Moskën, një ndryshim i pushtetit mund të nënkuptojë humbjen e disa kanaleve të drejtpërdrejta të ndikimit në institucionet serbe.

    Për Vuçiqin, zgjedhjet janë përballje për vazhdimësinë e modelit të tij të qeverisjes, në një kohë kur protestat kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e pushtetit.