Kosovë Lajme

Kryeministri Mickoski kërkon shkarkimin e drejtorit dhe bordit pas klipit të Don Xhonit në “Makedonium”

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar pas xhirimit të një pjese të videoklipit të reperit kosovar Don Xhoni në kompleksin memorial “Makedonium” në Krushevë.

    Mickoski ka deklaruar se do të kërkojë shkarkimin e drejtorit të Muzeut Historik të Krushevës, Miha Odzaklieskit, si dhe të anëtarëve të Bordit Drejtues që kishte miratuar përdorimin e hapësirës për xhirime. Sipas tij, një veprim i tillë nuk është dashur të lejohet në një objekt me rëndësi të veçantë historike dhe simbolike për Maqedoninë e Veriut.

    Reagimi i kryeministrit vjen një ditë pasi u bë e ditur se pjesë të videoklipit të këngës “Sexy Mama” të Don Xhonit ishin xhiruar në “Makedonium”. Sipas drejtorit të Muzeut Historik në Krushevë, hapësira ishte dhënë për xhirime për rreth pesë deri në gjashtë orë, me një pagesë prej rreth 500 eurosh.

    Drejtori Miha Odzaklieski ka deklaruar se përdorimi i hapësirës ishte miratuar nga Bordi Drejtues i muzeut dhe se produksioni kishte paraqitur kërkesë për shfrytëzimin e objektit. Sipas tij, muzeu kishte një vendim që hapësirat të mund të jepen për xhirime kundrejt një tarife përkatëse.

    Megjithatë, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka deklaruar se për xhirimin në “Makedonium”, i cili është objekt i mbrojtur, nuk kishte pranuar kërkesë për leje.

    Kështu, përplasja lidhet me faktin nëse leja e dhënë nga Muzeu Historik dhe vendimi i Bordit Drejtues ishin të mjaftueshme për xhirimin në këtë objekt të mbrojtur kulturor.