Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se tri familje kanë marrë sot konfirmimin për identitetin e familjarëve të tyre të zhdukur me dhunë që nga viti 1999.
Sipas Haxhiut, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Viktimat ishin pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.
“Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shprehur solidaritet me familjet e viktimave, si dhe me familjet e tjera që ende presin rezultatet e gërmimeve.
“Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, ka theksuar Haxhiu.

