Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas Kurtit, në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen e tyre me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore, ndërsa përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara.
Kurti ka bërë të ditur se në ditët dhe javët në vijim priten edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së, me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh.
“Më 27 korrik u konfirmua gjetja e varrit masiv në Kalludër”, ka shkruar Kurti, duke theksuar se faktorët ndërkombëtarë, me në krye SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, duhet të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel.
Ai ka kërkuar veçanërisht hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, si dhe dokumentacionin që, sipas tij, mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Kurti ka theksuar se përkushtimi institucional do të vazhdojë përmes kërkimeve në terren, mbështetjes për procesin e identifikimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me familjet.
“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje”, ka deklaruar Kurti.

