Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e parë solemne të Qeverisë, ku ka folur për zhvillimet politike në vend dhe sfidat që e presin institucionet e reja.
Kurti ka thënë se tashmë vendi i ka institucionet e konstituuara, Qeverinë e zgjedhur dhe një marrëveshje politike mes LVV-së dhe LDK-së për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, sfida e radhës është zbatimi i marrëveshjes, përkundër qëndrimeve të disa deputetëve të LDK-së që nuk duan ta mbështesin atë.
“Para nesh është sfida e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se pas një procesi të gjatë negociatash, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive, palët janë shumë afër zgjidhjes së çështjes së presidentit.
“Sot, kur po flasim, jemi me Kuvend të konstituuar e Qeveri të zgjedhur dhe një marrëveshje politike mes subjekteve LVV dhe LDK për kandidatin për president. Para nesh është sfida e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim. Pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive, jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur sërish në të njëjtën pikë.”

