Sot nga ora 11:00 pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në rend dite është zgjedhje e pesë nënkryetarëve të Kuvendit, që dështoi të bëhej në vazhdimin e seacnës që është mbajtur të mërkurën.
Ndërkohë që atë ditë kryetare e Kuvendit është zgjedhur deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu.
Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se pajtueshmërinë për zgjedhjen e nënkryetarëve synojnë ta arrijë në një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, e atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai tha se i ka ftuar në takim dy liderët e këtyre partive dhe bëri thirrje për qasje konstruktive në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.
Por nga ajo ditë nuk është raportuar për një takim në mes të tyre.
Me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.
Për përfundimin e këtij procesi, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 25 qershorit 2025, deputetët kanë pasur kohë deri më 7 gusht.
Por, sikurse vazhdimet e mëhershme ashtu edhe ai i sotshmi janë ftuar përtej afatit kushtetues. Në dy raste paraprake, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për të negociuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, pa zgjidhje për presidentin, nuk shmangin zgjedhjet e reja.
Kurti dhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku më parë janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por, as kjo marrëveshje nuk e garanton kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër.
Në vazhdimin e seancës konstituive që është mbajtur të mërkurën, kryetarja e re e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka përdorur dy arsyetime për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
Por, të dyja janë kundërthënëse.
E para lidhet me, siç ka thënë ajo, propozimin jokushtetues për nënkryetar të Kuvendit nga Lista Serbe, për shkak të përdorimit të termit “populli serb”.
“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92% janë shqiptarë, 4% serbë dhe 4% nga komunitetet e tjera”, ka thënë ajo.
Përfaqësuesi i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë nominimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar, ka thënë se ai propozohet “në emër të popullit serb”.
I vetmi institucion në Kosovë që mund të japë interpretim për kushtetutshmërinë e një çështjeje është Gjykata Kushtetuese.
Gjithashtu term i njëjtë ishte përdorur nga Lista Serbe edhe në konstituimin e Legjislaturës VIII, më 22 mars 2021. Atë kohë Vetëvendosja e pati votuar propozimin.
Arsyetimi i dytë i kryeparlamentares ishte se nuk ka vota për kandidatët për nënkryetarë të propozuar nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike.
Megjithatë, emrat e nominuar nuk u hodhën në votim, përmes të cilit do të mund të verifikohej nëse kishin apo jo mbështetjen e deputetëve.

