Gjatë ditës së sotme Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar Administratën Tatimore të Kosovës, me ç’rast u njoftuan me rezultatet e punës.
Duke falënderuar stafin dhe menaxhmentin, Kurti tha se rezultatet e arritura nuk janë rastësi.
“Sot, rezultatet janë të matshme. Të hyrat tatimore janë rritur me rreth 14%, ndërsa aktivitetet operative me mbi 35%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Por pas këtyre shifrave qëndron një tregues edhe më i rëndësishëm: ekonomia jonë po vazhdon të zhvillohet dhe të zgjerohet. Krahasuar me vitin e kaluar, kemi rreth 5,700 biznese më shumë dhe mbi 17,000 punëtorë më shumë të deklaruar. Kjo do të thotë më shumë aktivitet ekonomik, më shumë vende pune dhe një bazë më e gjerë për zhvillimin e vendit”, tha Kurti.
Kurti shtoi se, në të njëjtën kohë, ATK-ja po ndryshon mënyrën se si ndërvepron me bizneset dhe qytetarët.
“Rritja e transparencës, përfshirë publikimin e vendimeve të Departamentit të Ankesave, si dhe synimi që 100% e kontrolleve të bazohen në vlerësimin e riskut, janë hapa të rëndësishëm drejt një administrate më profesionale dhe më të besueshme. Rritja prej 46% e denoncimeve është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i rritjes së besimit në institucion. Ndërsa rënia e numrit të gjobave është në përputhje me një qasje që ne e kemi mbështetur: biznesi duhet së pari të këshillohet dhe të udhëzohet, ndërsa ndëshkimi duhet të jetë mjeti përfundimtar kur ligji shkelet me qëllim ose në mënyrë të përsëritur”, theksoi ai.
Duke ofruar mbështetjen e Qeverisë, Kurti tha se pret që ATK-ja të vazhdojë me profesionalizëm, transparencë dhe trajtim të barabartë të të gjithë tatimpaguesve.
“Digjitalizimi është një tjetër drejtim ku duhet të vazhdojmë të ecim. Certifikimi i nëntë kompanive softuerike në procesin e fiskalizimit krijon më shumë konkurrencë dhe më shumë mundësi për shërbime më të mira dhe më të përballueshme për bizneset. Edhe investimi në njerëz është thelbësor.Punësimi i inspektorëve dhe mbledhësve të rinj të borxheve tregon se po ndërtojmë kapacitetet që i nevojiten ATK-së për të ardhmen”, tha Kurti.

