Kosovë Lajme

KGJK-ja refuzon rikthimin e gjyqtarëve serbë në sistemin gjyqësor të Kosovës

    Me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë dhe stafit mbështetës, të cilat ishin deponuar në fund të vitit 2022.

    Pas këtij vendimi, emrat e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës do t’i dërgohen ushtrueses së detyrës së presidentes për lirimin e tyre nga detyra.

    Gjatë diskutimit, anëtari i KGJK-së, Artan Abazi, ka kundërshtuar kthimin e gjyqtarëve serbë në sistemin gjyqësor.

    Abazi ka thënë se pas rreth katër vitesh nuk mund të kthehen në sistemin e drejtësisë, pasi sipas tij, gjatë kësaj kohe kanë humbur aftësitë profesionale. Ai ka theksuar gjithashtu se disa prej tyre janë përfshirë në aktivitete politike.

    Për këtë arsye, Abazi ka propozuar që të mos miratohen kërkesat për kthimin e tyre në sistemin gjyqësor.

    Sipas tij, kthimi i tyre do të ishte “qesharak dhe i rrezikshëm”.

    Në anën tjetër, anëtarja serbe e KGJK-së ka mbështetur kthimin e gjyqtarëve serbë në sistemin e drejtësisë.

    Kundër kthimit të tyre është shprehur edhe anëtari tjetër i KGJK-së, Bashkim Hyseni.

    Hyseni ka thënë se kërkesat për kthim nuk duhet të miratohen, duke e konsideruar këtë një precedent të rrezikshëm. Ai ka shtuar se nuk ka kuptim që Bashkimi Evropian të kërkojë nga Kosova një veprim të tillë.