Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjenerata e parë e rekrutëve për vitin 2026 ka nisur stërvitjen bazë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Sot, në Kazermën ‘Skënderbeu’ në Ferizaj, gjenerata e parë e rekrutëve për vitin 2026 ka nisur stërvitjen bazë ushtarake, duke hedhur hapin e parë në rrugëtimin e tyre drejt shërbimit në ushtrinë tonë”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka bërë të ditur se gjatë nëntë javëve të ardhshme rekrutët do t’i nënshtrohen një programi intensiv trajnimi.
“Gjatë nëntë javëve të ardhshme, rekrutët do t’i nënshtrohen një programi intensiv trajnimi, përmes të cilit do të zhvillojnë aftësitë fizike, profesionale dhe ushtarake, si dhe disiplinën e përkushtimin që kërkon shërbimi ndaj atdheut”.
Maqedonci ka njoftuar se pas procesit të testimit dhe vlerësimit janë përzgjedhur 550 kandidatë për të ndjekur këtë trajnim.
“Pas përfundimit me sukses të procesit të testimit dhe vlerësimit, 550 rekrutë janë përzgjedhur për të ndjekur këtë trajnim dhe, pas përfundimit të tij me sukses, do t’i bashkohen radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Ai u ka uruar suksese rekrutëve në këtë etapë të re, duke theksuar rëndësinë e shërbimit në FSK.

