Rajon

Për herë të katërt në tri ditë, Vuçiqi kërcënon sërish me Ibrin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën ka kërcënuar për herën e katërt në tri ditë, me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Gjatë një vizite në Ivanjicë, ai është pyetur për deklaratën e tij për ndryshim të rrjedhës së lumit që nga Serbia hyn në Kosovë në një rrjedhë prej rreth 80 kilometrash dhe më pas rikthehet në territor të Serbisë.

Vuçiqi sërish ka thënë se mund të ketë angazhim të ekspertëve ndërkombëtarë për këtë çështje.

“Kam thënë – po e formojmë një komision, një grup punues, ashtu që të shohim gjithçka, dokumentet e të tjerat”, ka thënë ai.

Vuçiqi më pas ka thënë se kritikat ndaj tij kanë të bëjnë me “diçka tjetër”. Ai ka lidhur kritikat ndaj njoftimit të tij me sjelljen “ndaj serbëve në Kosovë”.
“Nuk ka rëndësi se sa krime kryen Kurti kundër serbëve, s’ka rëndësi sa serbë i arreston ai, s’ka rëndësi sa serbë i keqtrajton, i dëbon, s’ka rëndësi sa shtëpi i ka shkatërruar… Kurrë s’do të ketë një sinjal që të dalin me deklaratë kundër këtyre veprimeve”, ka thënë Vuçiqi.

Vuçiqi më pas ka thënë se çdo propozim i tij kritikohet “sepse ekziston një dëshirë dhe nevojë për të qenë në anën e armiqve të Serbisë”.

“Por edhe nëse përpiqeni të bëni diçka në një mënyrë krejtësisht paqësore, me propozimin që të formojmë një komision, me ekspertë ndërkombëtarë dhe gjithçka tjetër, atëherë keni problem. Sepse në fakt ‘nuk duhet ta mbrojmë popullin serb’. Ju duhet të jeni kundër serbëve. Nuk mund ta kuptoj dhe s’do ta kuptoj këtë”, ka thënë tutje ai.

Është hera e katërt që nga 9 gushti që Vuçiqi e ka shprehur publikisht kërcënimin për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Ibri furnizon me ujë liqenin artificial të Ujmanit, nga i cili furnizohen me ujë një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës.

Deklaratat e Vuçiqit kanë nxitur reagime në Kosovë, Shqipëri, Bashkim Evropian dhe në SHBA.

Exit mobile version