Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka shprehur besimin se bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së do të vazhdojnë dhe do të përfundojnë me një marrëveshje politike, me qëllim që vendi të shmangë zgjedhjet e reja.
Bajqinovci tha se Vetëvendosje është e interesuar që institucionet të formohen sa më shpejt dhe se pret reflektim edhe nga opozita.
“Nuk e di a nuk kam diçka të konfirmuar ende, por besoj që takimet kanë me vazhdu edhe besoj që do të gjendet një zgjidhje. Ne jemi të hapur, e ka thënë edhe kryeministri dje në deklaratën e tij, që jemi shumë të interesuar që vendi mos shkojnë zgjedhje dhe po besoj që opozita do të reflektojë dhe do ta kemi përbërjen komplete president, ne për qeveri kemi votat, edhe për kryetar të Kuvendit por e kemi lënë hapur që të merremi vesh”, tha ai.
I pyetur për afatin kushtetues dhe pasojat e mundshme pas mesnatës, Bajqinovci u shpreh se nuk pret pasoja dhe beson se ka ende hapësirë për marrëveshje.
“Unë nuk besoj që edhe pas 12-ve ka ndonjë pasojë, unë besoj që edhe ditëve në vazhdim do të ketë mundësi që të kemi një një… Nuk besoj, nuk ka nevojë por presim që të kemi marrëveshje politike dhe vendi mos shkojë zgjedhje”, tha ai.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë e takimeve të reja mes palëve, ndonëse tha se nuk ka informacion të konfirmuar.
“Nuk e di, nuk e mohoj por mund të ketë, takimet do të vazhdojnë nuk duhet ndalen dhe kryeministri e ka thënë këtë”, tha Bajqinovci.

