Maqedoni

Astrit Iseni: Policia po forcohet me kuadro të reja profesionale në shërbim të qytetarëve

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka njoftuar se së bashku me ministrin Pançe Toshkovski mori pjesë në ceremoninë solemne të promovimit të gjeneratës së re të nëpunësve policorë 2025–2026.

Përmes një statusi, Iseni theksoi se forcimi i Policisë me kuadro të reja, të përgatitura dhe profesionale, është dëshmi e përkushtimit për ndërtimin e institucioneve të forta dhe të një sistemi sigurie që u shërben të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ai u shpreh se nëpunësit e rinj policorë nuk morën vetëm uniformën, por edhe përgjegjësinë për të mbrojtur ligjin, rendin, sigurinë dhe dinjitetin e çdo qytetari, duke theksuar se ky mision kërkon integritet, disiplinë, guxim dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Iseni shtoi se beson se me energjinë, profesionalizmin dhe vlerat që bartin, gjenerata e re do të kontribuojë në ndërtimin e një policie moderne, efikase dhe të besueshme.

Në fund, ai uroi të gjithë nëpunësit e rinj policorë për një karrierë të suksesshme, me nder, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj.

Exit mobile version