Kosovë Lajme

Muja në Vjenë, thellohet bashkëpunimi Kosovë-Austri në bujqësi

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, është pritur në një takim zyrtar në Vjenë nga ministri federal i Austrisë për Bujqësi, Pylltari, Klimë dhe Menaxhim të Ujërave, Norbert Totschnig, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e reformave në sektorin e bujqësisë.

Sipas njoftimit të ministrisë, në takim është biseduar për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe harmonizimin e politikave bujqësore me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, ministrat kanë shkëmbyer përvoja lidhur me forcimin e sistemit të kontrollit zyrtar të ushqimit, zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe mbrojtjes nga breshëri, digjitalizimin e bujqësisë, si dhe bashkëpunimin ndërmjet instituteve bujqësore dhe institucioneve kërkimore të të dy vendeve.

Në fokus të diskutimeve kanë qenë edhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit institucional përmes shkëmbimit të ekspertëve, nëpunësve, studiuesve dhe studentëve, me synim forcimin e kapaciteteve profesionale dhe transferimin e njohurive.

Muja ka falënderuar homologun austriak për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve do të ndikojë në modernizimin e sektorit të bujqësisë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e përafrimit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.

Exit mobile version