Hakmarrja amerikane ndaj Iranit erdhi… shumë furishëm. Ushtria e Shteteve të Bashkuara ndërmori valën e 9-të të sulmeve, ndërsa presidenti Donald Trump njoftoi se e goditën Iranin “shumë rëndë, në nderim” të tre ushtarëve amerikanë të vrarë ditët e fundit.
“Ata patriotë të mëdhenj janë atje duke luftuar që Irani të mos ketë armë bërthamore. Irani është dëmtuar shumë keq. Ata kanë humbur pothuajse gjithçka ushtarakisht. U ka mbetur shumë pak. Ata kanë disa raketa, disa dronë. Ata kanë njëfarë aftësie prodhuese. Ne kontrollojmë ngushticën. Ata nuk kontrollojnë asgjë.”
Në orët e para të së hënës, sipas kohës lokale, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se kishte nisur një “valë të re” sulmesh për natën e nëntë radhazi, ndërsa shpërthime u dëgjuan në të gjithë Iranin. Pentagoni njoftoi se kishte synuar vendet ushtarake dhe rrjetet e komunikimit për të “zvogëluar më tej” sulmet e Teheranit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Irani tha se ishte përgjigjur me një “sulm të papritur” në Siri dhe kishte në shënjestër avionë amerikanë në aeroportin e Akabës, në Jordani.
Diku tjetër në rajon, forcat e armatosura të Kuvajtit thanë se kishin kapur dronë iranianë. Megjithatë, tensionet nuk kanë munguar në Hormuz, teksa Garda Revolucionare Iraniane pretendon se kishte kthyer pas dy anije që po përpiqeshin të kalonin në ngushticë.

