Botë Lajme

Trump kërcënon Iranin me sulme ndaj urave dhe termocentraleve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të godasë urat dhe termocentralet e Iranit javën e ardhshme, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave.

Në një intervistë për Fox News, të transmetuar teksa SHBA-ja dhe Irani po shkëmbenin sulme për të katërtën ditë radhazi, Trump deklaroi se situata do të përshkallëzohet nëse nuk arrihet një marrëveshje.

“Javën tjetër gjërat do të përkeqësohen shumë për ta. Do t’i rrëzojmë të gjitha termocentralet e tyre. Do t’i rrëzojmë të gjitha urat e tyre nëse nuk ulen në tryezën e bisedimeve dhe nuk negociojnë”, tha Trump.

Ai shtoi se objektivat energjetike do të goditeshin në një fazë të mëvonshme të operacioneve.

“Do t’i ruaj objektivat e energjisë për në fund, por në fund do t’i arrijmë objektivat e energjisë”, u shpreh presidenti amerikan.

Sipas Trumpit, negociatorët amerikanë u kanë përcjellë homologëve iranianë se duhet të arrijnë një marrëveshje, përndryshe “nuk do t’ju mbetet asgjë”.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë pasi SHBA-ja hoqi dorë nga plani për vendosjen e një tarife 20 për qind për të gjitha anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa rifilloi bllokadën e porteve iraniane.

Ndërkohë, kërcënimet ndaj infrastrukturës civile kanë nxitur reagime ndërkombëtare.

Më herët, Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, kishte deklaruar se “sipas ligjit ndërkombëtar, sulmi i qëllimshëm ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile është një krim lufte”, duke iu referuar konventave të Gjenevës, të cilat ndalojnë sulmet ndaj objekteve jetike për popullsinë civile.

Përshkallëzimi i tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit ka ndikuar edhe në tregjet globale, me rritje të çmimeve të naftës dhe bllokim të konsiderueshëm të trafikut të tankerëve në Ngushticën e Hormuzit.

Exit mobile version