Shkup – Xhulian Shabani është emëruar zëvendësdrejtor i Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM), pas mbi 20 viteve përvojë profesionale në fushën e medias, televizionit, komunikimit dhe menaxhimit.
Shabani ka ndërtuar një karrierë të gjatë në disa prej mediave më të njohura në vend, ndër to TV HANA, TV ERA, ALSAT-M, MRTV, A1 Televizion dhe TV21, ku ka ushtruar funksione në regji televizive, produksion, menaxhim dhe komunikim. Nga përvoja e tij profesionale, 16 vite i ka kaluar në pozita udhëheqëse, duke drejtuar redaksi, ekipe produksioni, kompani dhe projekte në fushën e medias dhe komunikimit.
Përveç përvojës së gjatë profesionale, Shabani ka përfunduar Fakultetin e Administratës dhe Menaxhmentit, ndërsa më pas ka kryer magjistraturën në Komunikim Ndërkombëtar, duke kombinuar përgatitjen akademike me përvojën shumëvjeçare në sektorin mediatik.
Në konkursin publik për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të RTVM-së konkurruan tetë kandidatë, ndërsa programi i punës i prezantuar nga Xhulian Shabani u vlerësua si më i miri, çka rezultoi me zgjedhjen e tij në këtë funksion.
Përveç angazhimit në televizion, ai ka udhëhequr kompani dhe projekte në fushën e marketingut, produksionit audiovizual dhe komunikimit strategjik, duke bashkëpunuar me institucione publike, kompani private dhe partnerë ndërkombëtarë. Eksperienca e tij përfshin menaxhimin e ekipeve profesionale, zhvillimin e strategjive të komunikimit dhe realizimin e projekteve mediatike me ndikim.
Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e një sërë projektesh televizive, artistike dhe mediatike, duke ndërtuar një profil profesional në fushën e transmetimit publik, mediave private dhe industrisë së komunikimit.
Pas pesë vitesh pa drejtues, Këshilli Programor i Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM) ka emëruar Xhulian Shabanin në detyrën e zëvendësdrejtorit të transmetuesit publik. Pozita e zëvendësdrejtorit kishte mbetur e paplotësuar që nga viti 2021, ndërsa me këtë vendim plotësohet një nga funksionet drejtuese më të rëndësishme të RTVM-së.

