Një projektligj i qeverisë, që mund t’u hapë rrugën shtetasve dhe kompanive të huaja të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri, ka nxitur debat mes ekspertëve dhe aktivistëve. Ata shprehin shqetësime për krijimin e pabarazive ndaj shtetasve vendas dhe për lënien në hije të procesit të kompensimit të ish-pronarëve.
Drafti u hodh për konsultim publik më 14 maj dhe qëndroi i hapur për 20 ditë pune, deri më 11 qershor 2026. Megjithëse në platformën zyrtare të konsultimit publik është depozituar vetëm një koment, diskutimet jashtë saj kanë qenë më të gjera.
Pse po kundërshtohet projektligji?
Sipas projektligjit, një shtetas i huaj ose një kompani e huaj mund të blejë tokë bujqësore deri në 2ha në një bashki dhe 50 ha në rang vendi, nëse është rezident i përhershëm në Shqipëri për të paktën pesë vite, është i pajisur me leje qëndrimi dhe ka zhvilluar aktivitet bujqësor ose agrobiznes në vend për të paktën tre vite.
Projektligji parashikon gjithashtu raste kur shitja e tokës bujqësore tek të huajt është e ndaluar. Në nenin 5 të draftit përcaktohet se nuk mund të tjetërsohet toka që “është objekt i dosjeve për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve”, sipas legjislacionit në fuqi.
Megjithatë, relacioni shoqërues përdor një formulim tjetër, duke theksuar se “nuk ka përfunduar ende procesi i kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve në vend”. Kjo diferencë, sipas juristëve, nuk është vetëm gjuhësore, por mund të sjellë pasoja në mënyrën e zbatimit të ligjit.
Avokatja dhe përfaqësuesja e qendrës “Res Publica”, Irena Dule, thotë se dy formulimet nuk kanë të njëjtin kuptim juridik dhe se mes relacionit dhe dispozitës së projektligjit ka një diferencë të rëndësishme.
“Është një gjë të thuash se nuk ka përfunduar procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, siç parashikon ligji aktual për shtetasit shqiptarë. Është krejt tjetër të thuash se nuk do të preket fondi i kthimit dhe kompensimit. Këto nuk janë e njëjta gjë, sepse fondi është dinamik dhe ndryshon me kalimin e kohës, ndërsa procesi vazhdon deri në përfundimin e tij”, shprehet Dule.
Ajo shton se asgjë nuk e ndalon Agjencinë e Trajtimit të Pronave që, në momentin kur krijohet një interes për këto toka, të transferojë një pjesë të këtij fondi nga Ministria e Financave. Sipas saj, kjo ndryshon nga rregulli për shtetasit shqiptarë, ku ligji i vitit 1998 e përcaktonte qartë kufizimin se toka shtetërore mund të tjetërsohej vetëm pas përfundimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Një tjetër shqetësim që ngre avokatja lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve. Sipas saj, projektligji përcakton kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit dhe kompanitë e huaja për të blerë tokë bujqësore, por nuk parashikon një procedurë konkurruese në rast se ka më shumë aplikantë që i përmbushin këto kushte.
“Ky ligj që po diskutojmë sot nuk krijon procedura konkurrimi, por thjesht u jep mundësinë të huajve të blejnë tokë. Po kush vendos se kush e fiton? Varet nga një ministër, një kryebashkiak apo kryeministri? Nëse kriteret i plotësojnë 100 persona, cili prej tyre e merr tokën? A do të ketë një garë mes tyre? Ligji nuk e përcakton këtë”, argumenton Dule.
Në përfundim, avokatja vë në dyshim edhe zbatueshmërinë e detyrimeve që projektligji u vendos pronarëve të huaj pas fitimit të tokës bujqësore. Neni 7 parashikon që toka të përdoret vetëm për bujqësi ose blegtori dhe të mos ndryshojë destinacionin, por sipas saj këto detyrime janë të vështira për t’u monitoruar në praktikë.
“Pasi kalon pronësia, është shumë e vështirë të kontrollosh nëse toka përdoret për bujqësi apo për një aktivitet tjetër. Më pas gjithçka mbetet në varësi të mekanizmave të ligjeve të tjera, të cilat mund të ndryshojnë”, thotë Dule.
Ajo që cilësohet si një nga pikat më të paqarta të projektligjit lidhet me hyrjen në fuqi dhe efektet e tij në kohë. Në nenin 12 parashikohet që ligji, në rast miratimi, të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por t’i shtrijë efektet pas 7 vitesh nga anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ekspertët shprehen se kjo formulë krijon paqartësi juridike, pasi në parim hyrja në fuqi e një ligji nënkupton edhe nisjen e efekteve të tij. Sipas tyre, shtyrja e efekteve për një moment të ardhshëm nuk është praktikë e zakonshme dhe mund të sjellë vështirësi në interpretim dhe zbatim.
Aktivistët kundër projektligjit
Një grup aktivistësh protestuan para Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke vendosur pankartën “Shqipëria nuk është në shitje”, në shenjë kundërshtimi ndaj projektligjit për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj.
Sipas tyre, nisma përbën një hap drejt privatizimit të pasurive publike dhe krijon pabarazi në trajtimin e qytetarëve shqiptarë, në një kohë kur çështja e pronës dhe kompensimit të ish-pronarëve mbetet ende e pazgjidhur.
Në deklaratën e tyre publike, aktivistët theksojnë se projektligji nuk është i domosdoshëm për procesin e integrimit evropian, por përfaqëson një mekanizëm që favorizon kapitalin e huaj në dëm të qytetarëve vendas.
Ata e konsiderojnë tokën bujqësore një pasuri strategjike kombëtare që duhet mbrojtur nga shitja dhe spekulimi, duke i bërë thirrje Kuvendit të mos e miratojë nismën dhe të hapë një debat të gjerë publik mbi mënyrën e menaxhimit të tokës bujqësore në Shqipëri.
“Pasuritë publike nuk mund të shiten për interesa të momentit dhe as të trajtohen si mall negociues në emër të një zhvillimi që nuk u shërben qytetarëve”, përmbyllet deklarata.

